Pulmologjisë, ka thënë se populli i Kosovës duhet më në fund të vetëdijesohet e të kuptojë se situata me koronavirusin në vend është alarmante. Në Interaktiv ajo ka thënë se për rritjen e madhe të rasteve ditëve të fundit duhet të falënderohet populli që s’është ndërgjegjësuar.
“Mund të ju them, në fillim ‘ishim të lumtur’ se menduam që e mundëm këtë sëmundje, duke pas parasysh se sa ishin masat s’pati numër aq të madh të rasteve dhe lehtë menaxhoheshin. Nga fillimi i pandemisë ne morëm masat që klinikat që do të merreshin me këta të sëmurë, klinika e parë ishte ajo Infektive e e dyta ajo e jona. Fatkeqësisht, me lirimin e masave filloi edhe rritja e numrit të të infektuarve. E keqja është se më nuk i kemi rastet e lehta, i kemi shumë të rënda dhe vështirë të menaxhueshme. Kërkojnë periudhë më të gjatë kohore të trajtimit dhe rasti e zë rastin e grumbullohen nëpër klinika. Pasi që është mbushur Infektivja, kemi vazhduar edhe ne t’i pranojmë rastet e konfirmuara, por kemi edhe raste në pritje. Sapo të dalin rezultatet e kur të jenë COVID-19 pozitiv duhet t’i transferojmë”, ka thënë ajo duke shtuar se nuk ka hapësirë që pacientëve t’u mundësohet të kenë nga një dhomë secili për vete.
Ajo ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve se virusi është gënjeshtër.
“Numri po rritet fatkeqësisht çdo ditë, dhe për këtë situatë duhet t’i falënderohemi popullatës që aspak s’u ndërgjegjësua, duke u bazuar në atë se s’është e vërtetë, se s’ka virus, është interesant si jemi të prirë të besojmë në lajme të rreme e jo në fakte. Ata çdo ditë po e shohin çka po ndodh. Prej një situate ku gati e tejkaluam erdhëm në situatë ku duhet të merremi me shumë raste. A mendon populli se do të lodhemi e do të rrëzohemi. Çka ndodh atëherë? Më e dhimbshmja është se njerëzit që thonë se dinë, se janë intelektualë, unë do t’i quaja ‘kuazi intelektualë’ sepse prej tyre rrjedhin këto gjëra. Kur dëgjon lajm të tillë që thotë jam intelektual dhe thotë s’është e vërtetë, unë s’di çka duhet të ndodhë kjo që të besojmë. A duhet të vdesim nga 100 në ditë që të besojnë. S’duhet të ndodhë. A pak po vdesin? Çdo ditë kemi raste të shumta. Populli duhet të vetëdijesohet. Kur kishim masa kishim pak numër, tash ata dolën e u shtua numri. Ja që ndodhi kjo ata e quan infeksionin në familjet e tyre e vijnë e ndonjëherë frustrohen, ka raste të cilat qojnë e-maila e mesazhe me të cilat mendojnë se ‘s’ma fute prindin në respirator se do të shpëtonte’. Ai nuk futet në respirator deri në momentin kur edhe ne mbështetemi për murin. Mosfutja në respirator është dhënia e shansit për jetë, futja në respirator shanset janë minimale për jetë. I fusim kur s’kemi çka të bëjmë”, është shprehur Mehmeti.
Ajo ka thënë se te rastet me COVID-19 ka parë se problemi i parë është me frymëmarrjen. Sipas saj, rastet “s’kanë mushkëri për të marrë frymë”.
“Është dështim i organeve. S’mundeni ta merrni me mend se sa shpejt ndryshon situata. Popullata duhet të presë më të keqen. Po bëjmë atë që po bën bota, por po shihen rezultatet edhe në botë, por edhe te ne. S’kemi para duhet të dimë që të mos qojmë infeksionin në shtëpi. Deri në orën 7 sonte kishim 42 raste, prej tyre të konfirmuara 17, ndërsa 25 pacientë janë në pritje për testim. 38 me oksigjen janë. Është shumë e lartë. Ata duhet të mendojmë. S’kemi komoditet. Punojmë pa pushim, e kurrkush s’ndihet duke thënë ‘oh u lodha’”, ka deklaruar ajo.
Deri tash në Kosovë janë regjistruar 3064 raste me koronavirus, me 1707 të shëruar. 55 persona kanë vdekur. Vetëm në muajin qershor pati rritje trefish të rasteve me virus.