Ministri Krasniqi: Lejohet mbajtja e dasmave dhe hapja e pishinave deri në 50 persona


Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se nga sot lejohet hapja e të gjitha pishinave në vend.

Por ai ka theksuar se numri i qytetarëve që frekuentojnë ato nuk mund të jetë më i madh se 50 persona, njofton Klan Kosova.

“Kemi angazhuar inspektoriat shtesë dhe ata që nuk iu përmbahen udhëzimeve do të merren masa ndëshkuese ndoshta deri tek mbyllja e pishinave. Më e rëndësishmja është shëndeti i qytetarëve. E dimë që ndikon në ekonomi mirëpo kërkojmë mirëkuptimin e bizneseve. Kërkojmë që krahas udhëzimeve të IKSHPK të sillen të gjithë qytetarët”, është shprehur Krasniqi.

Ai në Edicionin Special ka potencuar se nga tash edhe mbajtja e dasmave është e lejueshme, vetëm se vlen rregulli i mos grumbullimit mbi 50 persona.

“Po është e lejuar” është shprehur ai.