257 profesionistë shëndetësor të prekur nga koronavirusi

Në Kosovë numri i të prekurve me koronavirus ka arritur në 2 mijë e 991.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se deri më tani në tërë vendin janë 2 mijë e 991 persona të prekur me koronavirus, ku fatkeqësisht 56 prej tyre kanë ndërruar jetë dhe 1 mijë e 644 janë shëruar, përderisa 1 mijë e 293 raste janë aktive, shkruan lajm.net.

Në mesin e 2 mijë e 991 të infektuarve ka edhe profesionistë shëndetësor.

Në bazë të një tabele që ka përpiluar IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë janë gjithsej 257 profesionistë shëndetësor të prekur me koronavirus.

Sipas kësaj tabele të infektuar janë 2 fizioterapeutë, 2 teknik të farmacisë, 5 farmacistë, 13 infermierë por që këta nuk janë duke punuar në ndonjë institucion shëndetësor publik, kurse numri i infermierëve të infektuar e që punojnë në institucione shëndetësore është 129.

Po ashtu ka edhe mjekë të infektuar me koronavirus. Sipas kësaj tabele janë 95 mjekë të prekur me koronavirus të cilët edhe punojnë në institucione shëndetësore kurse 11 të tjerë që janë të prekur nuk punojnë në ndonjë institucion shëndetësor publik.

Vlen të theksohet se në bazë të këtyre të dhënave, nuk ka asnjë të vdekur dhe se shumica prej tyre janë shëruar.