Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka njoftuar se është shëruar nga virusi COVID-19.
Përmes një postimi në Facebook, Kastrati ka thënë se sipas protokollit të IKSHPK’së, konsiderohet se është shëruar plotësisht nga pandemia.
“Janë bërë 25 ditë që nga kontakti me një person që ka rezultuar pozitiv, 21 ditë prej që jam izoluar dhe 17 ditë nga testimi për këtë virus. Për gjithë këtë periudhë fatmirësisht nuk kam pasur asnjë simptomë dhe konsiderohet që kam qenë prej të infektuarve asimptomatik”, ka shkruar Kastrati.
Ai ka shtuar se nuk ka qenë bartës i virusit te askush tjetër dhe se ka punuar nga shtëpia gjatë kohës kur ka qenë i infektuar.
“Shqetësimi im më i madh ka qenë nëse unë kam qenë bartës i virusit tek dikush tjetër, sidomos tek ata që mund të jenë më të rrezikuar e me sëmundje kronike. Por, në këtë situatë unë jam tejet i lumtur që asnjë nga kontaktet e mia nuk kanë rezultuar pozitiv, përfshirë këtu familjen e kolegët. . Këtë periudhë, zyrën e kam zhvendosur në shtëpi dhe kam punuar prej aty, kurse tani do i rikthehem punës në komunë për qytetarët tanë”, ka shkruar Kastrati.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët t’i respektojnë masat e IKSHPK’së dhe MSh’së rreth pandemisë COVID-19.