Grenelli së shpejti cakton datën e re të takimit në Shtëpinë e Bardhë

Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje edhe pa Hashim Thaçin nuk do t’i ndalë as administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një burim i afërt me zhvillimet i ka thënë KOHËS se emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, së shpejti do ta caktojë datën e takimit në Shtëpinë e Bardhë, pas dështimit të atij më 27 qershor. Për amerikanët nuk paraqet problem ndryshimi i negociatorëve dhe mungesa e Thaçit. Por, siç merr vesh gazeta, nëse dështon arritja e një marrëveshjeje gjatë korrikut, në administratën e Trumpit mund të bjerë entuziazmi për tentativa të tjera, edhe për shkakun se në nëntor mbahen zgjedhjet presidenciale.

“I takon popullit të Kosovës t’i caktojë liderët që duhet të marrin pjesë në dialog. Emisari Grenell do të tentojë t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje”, ka thënë ky burim.

Por Dick Custin, i cili është zëdhënës i ambasadorit Grenell, ka deklaruar se aktualisht nuk kanë një datë për takimin mes palëve.

Publikimi i aktakuzës ndaj presidentit Thaçi e dështoi takimin e planifikuar të mbahej në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor. Pas presidentit, i cili e njoftoi emisarin amerikan Richard Grenell se nuk do jetë pjesë e takimit, pjesëmarrjen e anuloi edhe kryeministri Avdullah Hoti me arsyet se i duhet ta menaxhojë situatën në vend pas njoftimit se të akuzuarit e parë mund të jenë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Hoti planifikonte të udhëtonte për në SHBA pas vizitës së parë zyrtare në Bruksel.