Në Komunën e Prishtinës sot janë konfirmuar edhe 41 raste të reja me koronavirus.
Kjo ka ardhur pas 100 testimeve që janë bërë në Prishtinë.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se nga rastet e konfirmuara sot, në mesin e tyre ka edhe punëtorë shënetësorë.
“Nga 41 raste që janë konfirmuara sot, 4 raste pozitive janë punëtorë shëndetësorë. Kështu numri total i punëtorëve të infektuar me koronavirus në qendrat e kujdesit parësor është 9”, ka thënë Gashi.
Ai po ashtu njoftoi se 50 punëtorë shëndetësorë janë vetizoluar.
“I kemi 50 punëtorë shëndetësorë të cilët kanë shkuar në vetizolim , pra janë në mungesë, nga dita e premte”, ka deklaruar Gashi.
Ai kërkoi mirëkuptim nga banorët e Prishtinës, për shkak se në tri qendra orari do të ndryshojë.
“Kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët , sepse orari do të ndryshojë, nga 12 orë në 8 orë deri kur punëtoret të kthehen në vendet e tyre të punës”, ka shtuar Gashi në Rtv Dukagjini.
Ai gjithashtu tha se në tri Qendra të Mjekësisë Familjare do të punohet vetëm me një ndërrim.
Në Prishtinë deri më sot janë konfirmuar 625 raste me koronavirus, 149 pacientë janë shëruar dhe 4 persona kanë vdekur.