Presidenti Hashim Thaçi u është drejtuar qytetarëve për herë të parë që nga dorëzimi i aktakuzës nga Gjykata Speciale. Duke thënë nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.
“Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë.
Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat. Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, ai asnjëherë nuk ka bërë krime lufte, dhe se po të kthehej prapa në kohën e Millosheviqit, ai do të vepronte njëjtë.
“Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Slobodan Millosheviqit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar” tha ai.
Tutje ai tha se nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.