Mbi gjysmë milioni njerëz të vdekur nga koronavirusi në botë

Numri i viktimave nga sëmundja që shkakton koronavirusi, Covid-19, në botë ka kaluar 500,000, ndërsa numri i të infektuarve është tashmë mbi 10 milionë.

Shifrat e fundit nga Universiteti Johns Hopkins, me seli në SHBA, vijnë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të dielën për rekord të ri ditor të numrit të të infektuarve: mbi 189,000 në 24 orë.

Në SHBA, ku janë regjistruar rreth një e katërta e viktimave në gjithë botën, disa shtete kanë rikthyer masat kufizuese, në përpjekje për të penguar përhapjen e sëmundjes.

Kalifornia urdhëroi baret në Llos Angjelles dhe në gjashtë qarqe të tjera të mbyllen, për shkak të rritjes së numrit të rasteve.

Ky shtet tashmë ka lëshuar urdhrin e qëndrimit në shtëpi për disa zona, ndërsa San Francisko ka shpallur “pauzë” në rihapjen e ekonomisë.