Jürgen Klopp, trajneti i kampionit anglez, Liverpool, e ka kritikuar sjelljen e disa tifozëve pas triumfit të madh, pasi u kishte bërë thirrje atyre që të qëndronin në shtëpi dhe të mos dilnin jashtë për të festuar.
“Ne i detyrohemi më të dobëtit në shoqërinë tonë”, shkruan Klopp në një letër të hapur për gazetën lokale “Liverpool Echo” sot, “për punonjësit e shëndetit që dhanë aq shumë dhe të cilët ne i duartrokitëm, policinë dhe autoritetet lokale të cilët na ndihmojnë”.
Mijëra tifozë festuan titullin e kampionit të Anglisë pas 30 vitesh në Pier Head-in e famshëm të Liverpoolit të premten. Humori ndryshoi gjatë festës dhe pasuan përleshjet e dhunshme me policinë. Autoritetet po hetojnë edhe zjarrvënien pas përdorimit të fishekzjarreve. Dëmi i shkaktuar pritet të arrijë në rreth 11,000 euro.
Liverpooli e përshkroi këtë ngjarje si “plotësisht të papranueshme”. Klopp, i cili në letër gjithashtu shprehu dashurinë e tij për Liverpoolin dhe falënderimet e tij për tifozët që i mbështetën gjatë sezonit, hodhi edhe kritika ndaj tyre. “Pasioni juaj është pasioni im”, shkroi 53-vjeçari, “por gjëja më e rëndësishme tani është që të përmbahemi nga gjëra të tilla”.
“Ne do ta shijojmë këtë moment dhe do ta pikturojmë qytetin e kuq. Por tani për tani, ju lutem qëndroni në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur. Nuk është koha për të dalë në grupe të mëdha në qendër të qytetit, as për t’u mbledhur afër stadiumeve të futbollit”, tha ndër të tjerash Klopp.