Mungesa e letërkëmbimit mes presidentit Thaçi dhe përfaqësueseve të Bashkimit Evropian për vazhdimin e mandatit të EULEX-it nuk ka ndikuar në punën e këtij misioni.
Zyrtarë të EULEX-it thonë se vazhdimësia e mandatit u garantohet me ligjet vendore dhe vendimet e institucioneve evropiane.
Në një përgjigje me shkrim për “Kohën”, zyra e EULEX-it në Prishtinë, po ashtu ka rikujtuar se obligimet e autoriteteve të Kosovës në raport me ta derivojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, përkatësisht kapitulli që flet për sundimin e ligjit, raporton KOHA.
“Prania dhe funksionimi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) vazhdon të garantohet sipas ligjeve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, përfshirë vendimet e Këshillit të Evropës. Ne dëshirojmë të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e Kosovës për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët për forcimin e institucioneve të Kosovës në sundimin e ligjit”, shkruhet në përgjigjen e kësaj zyreje.
E ndër kompetencat që do t’i ketë misioni i cili zbarkoi në Kosovë në vitin 2008, ndërlidhen me punën e Gjykatës Speciale. Misioni EULEX vazhdon ta menaxhojë programin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe u ndihmon Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me mbështetje logjistike dhe operacionale.
“Në përputhje me mandatin e tij, Misioni ndihmon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me mbështetje logjistike dhe operacionale, në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, ka thënë në vazhdim kjo zyre.
Mbrojtja e dëshmitarëve është një prej prioriteteve të Gjykatës Speciale.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, i ka thënë “Kohës” se një njësi e specializuar është e angazhuar për të siguruar mirëqenien dhe mbrojtjen e dëshmitarëve para, gjatë dhe pas gjykimeve.
“Sipas ligjit, gjyqtarët gjithashtu mund të urdhërojnë një sërë masash mbrojtëse për dëshmitarët, siç janë caktimi i pseudonimeve dhe përdorimi i deformimit të zërit ose fytyrave të tyre. Shkeljet e masave mbrojtëse të urdhëruara nga gjykata janë vepra penale ndaj administrimit të drejtësisë, të cilat ndëshkohen rëndë sipas dispozitave të Kodit Penal të Kosovës, të zbatueshme pranë Dhomave të Specializuara”, ka thënëMichael Doyle, zëdhënës në Dhomat e Specializuara.
Deri më tani, mbi 250 persona janë ftuar nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar në Hagë ose në zyrat e EULEX-it në Prishtinë, në cilësinë e të dyshuarve ose dëshmitarëve.
Sa i përket numrit të dëshmitarëve të intervistuar dhe atyre që do të ftohen kur të nisin proceset gjyqësore, Doyle shton se nuk mund të japin shifra. Sipas tij, kjo varet nga rrethanat e secilit rast individual, përfshirë madhësinë dhe natyrën e akuzave të përfshira në dosjen e të akuzuarve.
“Fatkeqësisht, ne nuk mund t’ju japim një vlerësim të numrit të dëshmitarëve që do të thirren, pasi kjo varet nga rrethanat e secilit rast individual (përfshirë madhësinë dhe natyrën e akuzave të përfshira në aktakuzë). Në përputhje me Ligjin dhe Rregulloren e Procedurës dhe Provave, palët do të thirren që të hartojnë listën e dëshmitarëve”, ka shtuar Doyle.
Zyra e Prokurorit të Specializuar javën e kaluar njoftoi se më 24 prill është deponuar aktakuza ndaj presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Veseli. Bërjen publike të saj, ende pa u konfirmuar nga gjykata, e ka arsyetuar me përpjekjet e Thaçit dhe Veselit për t’i bishtnuar drejtësisë, dhe siç thuhet, “duke vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”.
Sipas njohësve të drejtësisë, mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve do të jetë sfidë dhe proces i komplikuar. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se për këtë arsye, Gjykata Speciale ka marrë masa paraprake për t’u siguruar mbrojtje dëshmitarëve dhe se shumë prej tyre tashmë janë dërguar jashtë vendit.
Ndër arsyet kryesore që selia e Gjykatës Speciale ishte vendosur në Hagë, ka qenë mungesa e sigurisë dhe frikësimi i dëshmitarëve në Kosovë.