72 raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar në 24 orët e fundit nga 374 testime të kryera në Laboratorin e Virologjisë në ISHP.
Dy qytetarë kanë humbur jetën, duke e çuar numrin në total të viktimave në 55.
“Dy qytetarë kanë humbur betejën me koronavirusin në 24 orët e fundit. Një 70-vjeçar nga Shkodra dhe një 54-vjeçar nga Tirana, të dy me sëmundje bashkëshoqëruese. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: Tirana 19 raste, 9 në Krujë, nga 8 raste Shkodër, Durrës dhe Pukë, nga 4 raste në Sarandë dhe Vlorë, nga tre raste në Fier e Lushnjë, dy raste në Lezhë, dhe nga një rast në Korçë, Elbasan Has dhe Kavajë”, tha Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik.
Në Spitalin Infektiv aktualisht po trajtohen 77 pacientë, 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 38 qytetarë, duke e çuar në 1,384 numrin e të shëruarëve që nga fillimi i epidemisë.
Në Shqipëri aktualisht janë 963 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.