Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas vizitës që bëri në Bruksel në një konferencë për media ka thënë se atje ka biseduar për një sërë çështjesh me rëndësi për Kosovën, si liberalizimi i vizave, luftimi i pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike.
Ai ka thënë se ka mirëkuptim të plotë nga ana e Komisionit Evropian dhe Parlamentit që qytetarët të lëvizin lirshëm, pasi siç tha ai janë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
“Ka mirëkuptim të plotë nga ana e Komisionit Evropian dhe parlamentit që qytetarët të lëvizin lirshëm. Kanë pranuar që janë plotësuar kushtet për liberalizim të vizave. Edhe vendet që janë skeptikë, shpresojmë që të reflektojnë. Siç e keni parë një grup deputetësh i kanë shkruar kancelares Merkel për liberalizimin e vizave për kosovarët dhe ne do të punojmë me të gjitha vendet e botës për tu përmbajtur kushteve për këtë çështje”, ka thënë Hoti.
Ai po ashtu tha se ka biseduar edhe për luftimin e pandemisë, ku tha se tash vendet do të përballen me një valë të dytë të virusit COVID-19.
“I falënderova Komisionin Evropian për ndihmën që na e kanë dhënë për luftimin e pandemisë. Tash do të përballemi me një valë të dytë të virusit”, theksoi ai.
Ndërsa çështja e tretë e cila është diskutuar në Bruksel, sipas Hotit është rimëkëmbja ekonomike.
“Rimëkëmbja ekonomike dhe mbështetja për Kosovën për të tejkaluar pasojat ekonomike të pandemisë, për përpjekjet që kemi bërë, pjesën e dytë të vitit të trajtohemi veçmas i gjithë Ballkani perëndimore”, tha Hoti.