Në Kosovë është shtruar kërkesa që dialogu me Serbinë të vihet në pauzë, pas kumtit që ka dhënë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë për aktakuzën e ngritur kundër presidentit Hashim Thaçi, nën dyshimin se ai ka kryer krime lufte.
Kjo nevojë është shtruar, përkundër faktit që Beogradi zyrtar nuk e ka parë si pengesë këtë zhvillim për ta vazhduar dialogun, qoftë nëse në të Kosova përfaqësohet nga kreu i shtetit, shkruan KOHA.
Specialja e ka publikuar njoftimin për aktakuzën e ngritur kundër Thaçit, e edhe kundër kreut të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ditën kur delegacioni kosovar ndodhej rrugës për në Washington, ku më 27 qershor ishte planifikuar të mbahej një takim në nivel presidentësh e kryeministrash të Kosovës e Serbisë, nën ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për negociatat mes këtyre dy vendeve.
Pasi delegacioni kosovar refuzoi të paraqitej në takim në këtë rrethanë, Grenelli e ka anuluar takimin dhe ka paralajmëruar se do ta bëjë të ditur një datë të re. Ndërkaq, për në muajin korrik janë përmendur edhe iniciativa të tjera dialogu, përfshirë edhe organizimin e Samitit të Parisit nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Imer Mushkolaj është publicist dhe konsideron se pavarësisht a do të konfirmohet apo jo aktakuza e ngritur kundër kreut të shtetit, dëmi është shkaktuar. Sipas tij, Thaçi nuk do të duhej të merrte pjesë në dialog.