Në Komunën e Vushtrrisë janë shëruar 36 persona të cilët ishin prekur nga koronavirusi.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Komunës së Vushtrrisë në Facebook.
“Sonte përsëri lajme të mira, 36 qytetarë të shëruar dhe vetëm 2 raste pozitive me COVID-19 në qytetin tonë”, thuhet në njoftimin e komunës.
Me këtë rast, komuna ka kërkuar që qytetarët të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm, në mënyrë që mërgimtarët të kenë mundësinë të jenë në Vushtrri këtë verë.
“Nëse vazhdojmë të jemi të kujdesshëm, do të krijojmë kushte që këtë verë të kemi edhe mërgimtarët në Vushtrri. Ju lutem bashkëpunoni me ne, mbani maskë, mbajeni distancën sociale dhe higjienën personale”, thekson njoftimi i komunës.