Rekord i ri ditor i të infektuarve me koronavirus në SHBA

Shtetet e Bashkuara regjistruan të enjten 40 mijë raste të reja me coronavirus, numër ky më i larti ditor, tregojnë shifrat nga Universiteti Johns Hopkins (JHU).

Madje, sipas BBC, një rritje e kohëve të fundit në infeksione dhe shtrime në spital ka bërë që shtetet e Teksasit, Floridas dhe Arizonas të ndalojnë planet e rihapjes.

Siç bëhet e ditur, shifra më e lartë e mëparshme e raportuar nga JHU prej 36,400 rasteve ishte më 24 prill kur u bënë më pak testime.

Deri më tani, SHBA ka 2,4 milionë infeksione të konfirmuara dhe 122,370 vdekje – më shumë se çdo vend tjetër.

Gjithsesi, zyrtarët shëndetësorë në SHBA vlerësojnë se numri i vërtetë i rasteve ka të ngjarë të jetë 10 herë më i lartë se shifra e raportuar.

Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) thanë që deri në 20 milionë amerikanë mund të jenë infektuar me koronavirus.

Vlerësimi u bazua në mostrat e gjakut të mbledhura nga i gjithë vendi të cilat u testuan për praninë e antitrupave ndaj virusit.

Rritja e rasteve po nxitej nga të rinjtë që kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus, veçanërisht në jug dhe perëndim të SHBA-së, tha kreu i CDC, Dr Robert Redfield.