Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi i ka përcjell nga afër Inspektoratin e MTI-së në inspektime nëpër lokale për ta parë nga afër se sa po zbatohen masat mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.
Ministri Krasniqi është ndarë i kënaqur nga respektimi i rregullave dhe masat mbrojtëse që janë marr nëpër kafet dhe restorantet, duke vlerësuar se nëse vazhdohet respektimi i masave në këtë formë nuk do të ketë masa të tjera.
“Ne ishim në inspektim së bashku me ekipin e inspektorëve për të parë nga afër sesa po zbatohet Urdhëresa administrative e lëshuar nga MTI për respektimin e masave mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19. Në i vizituam disa lokale në të cilat pamë që të gjitha masat preventive janë duke i respektuar dhe ajo çka na bëri të ndihemi mirë që qytetarët janë vetëdijesuar shumë që të dalin e ta pinë një kafe, por gjithmonë duke i respektuar masat mbrojtëse. Nëse vazhdohet në këtë formë nuk besoj se do të ketë probleme, apo nuk do të vjen deri te mbyllja e ndonjë lokali. Ne inspektime të tilla me ekipin e inspektorëve jemi duke bërë vazhdimisht në terren, por sot shpreha gatishmërinë edhe vet nga afër të shoh se sa janë duke u zbatuar ato masa, me të cilat vërtet u ndava i kënaqur”, tha ministri Krasniqi.
Ai bëri të ditur se në terren është një ekip i veçantë i inspektorëve që bëjnë monitorimin e lokale, për ta parë zbatimin e Urdhëresës që është lëshuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
“Ekipi i veçantë i inspektorëve është e përcaktuar që të bëjë monitorimin e të gjitha lokaleve, për ta parë zbatimin në praktik të Urdhëresës. Këto janë inspektime të përditshme që bëhen gjatë ditës, por edhe në mbrëmje. Ne ju kemi mundësuar bizneseve që ekonomia e vendit ka pësuar një rënie të madhe si në çdo shtet, por ju kemi mundësuar ta kryejnë veprimtarinë e tyre, por duke respektuar masat mbrojtëse. Ne i lusim edhe lokalet tjera që t’iu përmbahen udhëzimeve që kanë dalë nga institucionet e Kosovës”, tha ministri Krasniqi.