Prishtina kërkon fitoren e gjashtë rresht, Llapi këndelljen

Prishtina do ta kërkojë fitoren e gjashtë radhazi dhe të katërtën në kampionat prejse kanë rifilluar garat në futbollin e Kosovës. Përballë Prishtinës do të jetë Llapi, skuadër që nuk po kalon formë të mirë, pasi ka pësuar dy humbje rresht. Ndeshja që ka epitetin e derbit të xhiros së 26-të të Superligës do të zhvillohet të enjten (sot) në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, takim që nis nga ora 16:45.

Për Prishtinën pikët do të kenë vlerë të madhe, pasi është në garë për titull të kampionit dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores do të ishte hap prapa për ekipin nga kryeqyteti. Zë vendin e dytë në tabelë me 50 pikë të mbledhura. Në anën tjetër, Llapi, me humbjet e pësuara, nuk është më në garë as për pozitat që dërgojnë në garat evropiane. Renditet i gjashti me 37 pikë. Megjithatë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka deklaruar për “Kohën” se pavarësisht formës jo të mirë ndaj Prishtinës do të hyjnë për fitore. I pari i shtabit teknik të llapjanëve thotë se do të takohen me ekipin më të mirë të Prishtinës pasluftës.

“Pres ndeshje të vështirë, por ne nuk kemi çka të humbim dhe do ta japim më të mirën në fushë, duke aplikuar lojë të mirë dhe të hapur dhe duke i treguar cilësitë tona ndaj në fuqie siç është Prishtina, skuadra më e mirë dhe më e kompletuar që nga paslufta”, u shpreh Batatina, që ka konfirmuar mungesën e Behar Maliqit dhe Arbnor Ramadanit për shkak të kartonëve. Batatina pret që të mos dëmtohet nga gjyqtarët, te të cilët thotë se ka besim për duelin ndaj Prishtinës. Ndërkohë, trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ka thënë se do të mundohen që të vazhdojnë serinë e fitoreve. Dallku e vlerëson lart Llapin dhe pret një ndeshje shumë të vështirë.

“Do të jetë ndeshje e vështirë për ne, pasi Llapi është ekip i papërshtatshëm dhe kur luan si vendas di të bëjë telashe. Pres një duel burrëror prej të dyja palëve, por jam optimist për fitoren e ekipit tim. Synimi është që të vazhdojmë me ritmin e fitoreve, pasi gjërat po shkojnë në farorin tonë. Drejt Podujevës do të udhëtojmë për tri pikë, për ta vazhduar rrugën drejt synimit që kemi”, tha Dallku.

Të enjten (sot) do të zhvillohen edhe dy ndeshje tjera në kuadër të kësaj xhiroje, që nisin në orën 16:45, e që po ashtu kanë rendësi të madhe. Në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit, skuadra e Feronikelit e pret Drenicën në derbin rajonal. Kampioni në fuqi, që po drejtohet nga trajneri Afrim Tovërlani, do të kërkojë pikë të plota për ta vazhduar serinë pozitive në ligë dhe për të mbetur në garë për një vend që në fund mund të dërgojë në garat evropiane. Nikli, të gjitha forcat tashmë i ka përqendruar në kampionat pas eliminimit nga Kupa. Ka tubuar 43 pikë dhe renditet i pesti në klasifikim, ndërsa Drenica po lufton për të mbetur në Superligë edhe në edicionin e ri. Në dy ndeshje në udhëtim, Drenica ka arkëtuar katër pikë, duke barazuar me Ballkanin (0:0) dhe duke triumfuar ndaj Llapit (2:1) qëkur kanë rifilluar garat. Ndërkohë, ndeshja tjetër është ajo ndërmjet Ferizajt e Ballkanit.

Superliga – XXVI

E enjte (16:45)

Feronikeli – Drenica

(Arbitra: M. Bejtullahu, F. Jashari, M. Berisha, B. Jahmurataj)

Ferizaj – Ballkani

(Arbitra: A. Shala, S. Berisha, B. Rama, V. Ibërdemaj)

Llapi – Prishtina

(Arbitra: S. Isufi, F. Berisha, B. Selimaj, I. Ceroviku)

1. Drita 26 17 4 5 46:17 55

2. Gjilani 26 16 3 7 48:22 51

3. Prishtina 25 15 5 5 46:16 50

4. Ballkani 25 14 7 4 38:16 49

5. Feronikeli 25 13 4 8 43:27 43

6. Llapi 25 11 4 10 37:39 37

7. Drenica 25 9 7 9 31:31 34

8. Flamurtari 26 9 6 11 32:44 33

9. Trepça ’89 26 7 7 12 34:41 28

10. Ferizaj 25 8 1 16 23:47 25

11. Vushtrria 26 4 4 18 22:60 16

12. Dukagjini 26 2 4 20 14:54 10