Qeveria Hoti e nis me dështim përmbushjen e agjendës legjislative

Me ta marrë detyrën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte pranuar një kërkesë për takim nga prokurorët specialë. Takimi kishte ndodhur dhe në të ishte shtruar nevoja për ta krijuar bazën ligjore që do të mundësonte gjykimin në mungesë për rastet e krimeve të luftës.

Haxhiu ka treguar se kërkesë specifike e prokurorëve ishte një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, shkruan KOHA.

“Menjëherë pas këtij takimi kam angazhuar Departamentin ligjor për të bërë këtë ndryshim, kam kërkuar konfirmimin e Prokurorisë për këtë dhe menjëherë e kemi proceduar për votim në Qeveri, dhe më tutje është proceduar për Kuvend, pra në muajin mars”, i ka thënë gazetës ish-ministrja Haxhiu.

“Ky ndryshim ka pasur rëndësi të madhe për Prokurorinë Speciale, dhe pavarësisht kësaj Kryesia e Kuvendit nuk e ka proceduar për votim, me arsyetimin që e kemi Qeverinë e rrëzuar”.