Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet e propozuara për ndarjen buxhetore për vitin 2020.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në prezantimin e ndryshimeve ka thënë se sfida e pandemisë ka detyruar ndryshime dhe rishikim të buxhetit për të adresuar këtë çështje.
Sipas saj, nuk është larguar asnjë projekt fillestar dhe se kursimet do të kthehen në proceset e ardhshme buxhetore.
“Buxheti reflekton prioritetet që dalin nga programi i Qeverisë”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se më 2020 pritet të ketë rënie ekonomike, ndërsa ka theksuar se presin rritje më 2021, me 5 për qind.
“Të hyrat buxhetore më 2020 në total mbi 1 miliard e 788 milionë euro presim një rënie prej 5 për qind. Me kthimin e rritjes ekonomike presim që më 2021 të kemi edhe rritje të të hyrave. Shpenzimet buxhetore presim që të jenë 2 miliardë e 620 milionë. Deficiti i buxhetit pritet të jetë 6.5 për qind e bruto produktit vendor”, ka shtuar ajo.
Bajrami ka bërë të ditur se Ministrisë së Tregtisë i janë kthyer disa fonde të marra nga Ministria e Ambientit, ndërsa Ministrisë së Punëve të Jashtme i është shtuar buxheti prej dy milionë eurosh. 1.4 milion euro i janë shtuar Ministrisë së Punës, ndërsa ka theksuar se janë shtuar edhe 336 mijë euro për pagesën e qirasë për Ministrinë e Bujqësisë. Është shtuar edhe shuma prej 400 mijë eurosh për Ministrinë e Kulturës.
Ndryshimet në buxhet tani kërkojnë miratimin e Kuvendit të Kosovës.