I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak nuk do të arrijë në Prishtinë të hënën, siç është paralajmëruar nga zyra e BE-së në Kosovë, sepse i është anuluar fluturimi, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burimet e saja.
Sipas informatave, Lajçak me delegacionin e tij gjendet në Cyrih të Zvicrës, prej ku ishte planifikuar që të udhëtonte drejt Tiranës, e më pas në Prishtinë.
Tash për tash nuk është ende e sigurt nëse Lajçak do të vazhdojë udhëtimin të martën drejt Kosovës.
Vizita e paralajmëruar e Lajçakut në Kosovë, pritej që të zgjaste deri të enjten, më 18 qershor.
Lajmi për shtyrjen e vizitës së Lajçakut në Prishitinë vjen në ditën kur Shtëpia e Bardhë, përmes të dërguarit të saj për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, bëri të ditur se Kosova dhe Serbia do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.
Lajçak u emëruar afro tre muaj më parë si përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
BE-ja dhe SHBA-ja po inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë që t’i kthehen dialogut, me qëllim që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.