Abdixhiku: Kurti s’mund të betohet si deputet pa dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka ngritur shqetësime lidhur me pjesëmarrjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe disa ministrave të tij në seancën konstituive të Kuvendit, e cila pritet të mbahet nesër, më 15 prill.

Në RTV Dukagjini, Abdixhiku theksoi se sipas Kushtetutës dhe praktikës demokratike, askush nuk mund të jetë njëkohësisht deputet dhe anëtar i Qeverisë.

“Një kryeministër dhe një ministër nuk mund të ulet në ulësen e deputetit pa dhënë paraprakisht dorëheqje. S’mund të jesh edhe deputet edhe anëtar i qeverisë. Kurti mund të japë dorëheqje aty për aty dhe gjithçka është në rregull”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se kjo situatë mund të jetë një taktikë politike e Qeverisë në detyrë për të zvarritur kohën dhe për të mos e përmbyllur konstituimin e institucioneve në afatet kushtetuese.

Kreu i LDK-së deklaroi se partia e tij nuk e konteston të drejtën e partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, për të propozuar kryetarin e Kuvendit. Megjithatë, sipas tij, kjo duhet të bëhet vetëm nëse ekziston një shumicë e qartë prej 61 deputetësh.

“Ka një shije demokratike që thotë se ai që do të jetë kryetar i shumicës së deputetëve duhet që së paku ta ketë atë shumicë – 61. Kjo është një lojë shahu kushtetuese – i bardhi duhet të nisë lojën”, u shpreh Abdixhiku.

Ai shtoi se LDK mbetet në mëdyshje nëse do të votojë për kandidatin e propozuar për kryetar të Kuvendit nga Vetëvendosje, duke potencuar mungesën e një marrëveshjeje politike dhe rrezikun për zvarritjen e proceseve kushtetuese.

Abdixhiku nuk kurseu as kritikat ndaj qasjes së Vetëvendosjes ndaj komuniteteve minoritare, duke e cilësuar si paradoksale ofertën për poste ministrore, pasi që sipas tij, Kurti më herët i kishte akuzuar për lidhje me Serbinë disa nga këta deputetë.

Seanca konstituive e Kuvendit pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme për të ardhmen politike të vendit, në një situatë që vazhdon të mbetet e paqartë dhe e brishtë.