Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka e quajti të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale për të mos lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, duke bërë të ditur se “do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara.”
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e cilësoi këtë vendim si absurd dhe shkelje të të drejtave themelore njerëzore.
“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës”, tha ajo.
Ministrja njoftoi se do t’i drejtohet me një shkresë kryetares së Dhomave të Specializuara për këtë vendim, duke e konsideruar atë të padrejtë.
“Lidhur me këtë vendim të padrejtë do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara”, tha ministrja Haxhiu.