Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai do të udhëheqë sërish me ekzekutivin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet. Qeveria, e sigurt, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë”, tha Kurti shkurtimisht për gazetarët më 10 mars.
Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me 42.27 për qind të votave të fituara apo 48 ulëse në Kuvendin me 120 vende. Kjo nënkupton se kjo parti nuk mund ta formojë e vetme ekzekutivin e ri, për të cilin duhen 61 deputetë.
Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se me cilat parti opozitare partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, është më e përafërt.