Rrëshqitja e dheut mbyll përkohësisht një pjesë të autostradës Prishtinë-Prizren

Është mbyllur përkohësisht një pjesë e autostradës “Ibrahim Rugova”, si pasojë e rrëshqitjes së dheut në segmentin e 27-të, në mes të Prizrenit dhe Suharekës.

Siç ka njoftuar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kjo pjesë do të mbesë e bllokuar për qarkullim automjetesh deri në pastrimin e dheut të shembur.

Ministria ka thënë se për hapjen e autostradës do të njoftojë me kohë.

“Ekipet tona të mirëmbajtjes janë në vendin e ngjarjes duke ndërmarrë hapat konkret për lirimin e kësaj pjese të Autostradës në fjalë. Lusim të gjithë qytetarët e vendit tonë, që deri në pastrimin e dheut dhe lirimin për qarkullim të këtij segmenti të shfrytëzojnë rrugët alternative. Lidhur me pastrimin e dheut nga autostrada do ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim të Ministrisë.