Osmani paralajmëron procedura ligjore ndaj Thaçit “për shpifje ndaj familjes së saj”

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, në Interaktiv të KTV-së, ka paralajmëruar procedura ligjore ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se familja e Osmanit i ka shërbyer Serbisë.

Fjalimi i sotëm në Kuvend i Osmanit ngjalli debate. U kritikua se nuk ka përmendur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë, ajo tha se ka dëshmi se ka folur disa herë për ta.

“Dëshmitë ekzistojnë. Në të gjitha seancat solemne kam përmendur sakrificën e UÇK-së dhe gjithë atyre që kanë luftuar e sakrifikuar. Fjalimet e mia ekzistojnë. Nuk është e dinjitetshme kur në kohën kur të gjithë do të duhej të ishim bashkë të spekulohet kur dëshmia e thotë të kundërtën”, u shpreh ajo.

Por këtë, ajo e pa si vazhdimësi të një përpjekjeje të presidentit Hashim Thaçi, për siç tha ajo, “për të më paraqitur si një njeri që nuk e vlerëson luftën”.

“Jo vetëm mua por duke atakuar edhe familjen time. Mënyra më e mirë se si i nderojmë ushtarët tanë është për të punuar me përgjegjësi”, u shpreh ajo.

E për akuzat për familjen dhe babanë e Osmanit nga presidenti Thaçi, se ka shërbyer për Serbinë, Osmani ka paralajmëruar procedura ligjore, kur është pyetur nëse do të ndërmerr veprime të tilla.

“Me këto sjelljet e fundit fatkeqe të presidentit nuk është se më ka befasuar shumë sepse është kohë e gjatë që përdor gjuhë të ngjashme. Për fat të keq, sepse në skenën tonë politike, në kohën e pasluftës kur edhe vriteshin zyrtarët e LDK-së, që i shpallnin tradhtar e bashkëpunëtorë të Serbisë, ka qenë një periudhë kur partitë politike kishin një luftë me njëra-tjetrën. Për mua, që kurrënjëherë nuk e kam atakuar familjen e askujt, është me rëndësi që idetë e këqija t’i godasim ashpër por jo me familjarët e atyre që promovojnë këto ide”, tha tutje Osmani.

Tutje, Osmani shtoi se te presidenti, “kanë parë gjuhë që nxit jo vetëm urrejtje por edhe dhunë”.

“Natyrisht që për familjen time kjo nënkupton që nuk e kanë nivelin e njëjtë të sigurisë si më herët. Ne e marrim situatën me qetësi, por organet e drejtësisë urgjentisht duhet të merren me këtë rast. Jo pse ka të bëjë me mua, por për shkak se kjo mund të hap rrugën drejt situatave që nxisin dhunë. Nuk kemi kërkuar siguri të shtuar sepse kjo ta ndryshon jetën komplet. Prindërit e mi duan të kenë liri por po diskutojmë ekspertë të kësaj fushe për të parë nëse duhet diçka e tillë. Shpifjet dolën nga disa portale të cilat për fat të keq njollosin edhe punën e UÇK-së”, u shpreh tutje ajo.

Osmani, ka shtuar se është e domosdoshme të nisen procedura ligjore.

“Është e domosdoshme sepse është shpifje që rrezikon familjen time. Kur e thotë institucioni i shtetit, mund të ketë njerëz që i besojnë dhe nxisin dhunë”, u shpreh ajo.