Kryeministri Avdullah Hoti në një konferencë për media së bashku me drejtorin e IKSHPK, Naser Ramadani dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj ka shprehur shqetësimin për rritjen e rasteve me COVID-19.
“Në bazë të informatave që kemi marrë sot nga IKSHPK, situata është alarmante. Nëse nuk vetëdijesohemi për të udhëzuar strikt udhëzimet e vendosura nga ekspertët shëndetësorë ne jemi detyruar t’i kthejmë masat që kanë qenë më herët për të mbrojtur jetët e qytetarëve”, tha Hoti.
“Unë e di që duhet të kthemi në jetën tonë të përditshme, punë, shkollë dhe çdo institucion por është tepër e rëndësishme të respektohen udhëzimet. Tashmë janë të gatshme manualet se si duhet të sillemi në shkollë, kafe, autobus”.
Hoti ka thënë se nëse vazhdon rritja e rasteve duhet të kthehen masat e mëhershme ku sipas tij është e çartë që ekonomia do të kolapsojë me atë rast.
“Askush nuk e do një situatë të tillë, prandaj të bëjmë kujdes”, tha ndër të tjera Avdullah Hoti.