Vizitat nëpër familjarë për festën e Bajramit dhe lehtësimi i masave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë po del të kenë ndikuar në përhapjen e COVID-19 në vend.
Pak ditë pas lehtësimit të masave dhe kësaj feste, numri i rasteve me këtë sëmundje është rritur dukshëm. Vetëm gjatë këtij muaji janë konfirmuar 236 raste të reja.
Rastet me koronavirusin e ri kanë shënuar rritje edhe në kryeqytet.
Drejtori për Shëndetësi në Prishtinë, Bujar Gashi i ka thënë Gazetës Express se pas datës 24 maj janë konfirmuar 50 raste.
Sipas tij, në këtë komunë janë aktualisht 60 raste aktive me këtë sëmundje, derisa sot thotë se janë testuar rreth 80 persona.
“Aktualisht janë 60 raste aktive. Sot janë testuar rreth 80 persona. Gjendja e të infektuarve është në përgjithësi stabile. Nuk e dijmë saktë a është pasojë vetëm Bajrami apo edhe lirimi i masave, mirëpo pas datës 24 maj e deri më tani kemi rreth 50 raste”, ka thënë Gashi për Express.
Vizitat për festën e Bajramit kanë bërë që të rikthehen rastet me këtë sëmundje edhe në Podujevë.
Ditën e parë të qershorit atje u konfirmuan katër raste me koronavirusin e ri, si pasojë e vizitave mes familjarëve për festën e Bajramit.
Katër anëtarë të një familje nga fshati Dobërdol u infektuan me koronavirusin e ri pas vizitës së një familjari nga Prishtina atë ditë dhe po vazhdojnë të jenë në vetëizolim që nga 1 qershori.
Specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent në këtë komunë, i ka thënë Gazetës Express se gjendja e të infektuarve është e mirë dhe pa simptoma. Sipas saj, të njëjtit do të ritestohen pas tri-katër ditësh për të parë nëse janë shëruar.
“S’kemi pas raste të reja që nga tre qershori. Aktualisht i kemi pesë raste aktive, të cilat do të ritestohen pas 3-4 ditësh për të parë nëse janë shëruar, e që po besojmë që po. Gjendja e të infektuarve është e mirë dhe asnjëri nuk kanë simptoma. Jemi në kontakt çdo ditë me ta”, ka thënë dje Rama për Express.
Për shtimin e rasteve me COVID-19 gjatë këtyre ditëve është deklaruar sot edhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Zemaj ka thënë se duhet vazhduar me një përcjellje aktive të situatës lidhur me Covid -19, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejmë të virusit dhe mbajtjes në kontroll të tij.
“Është më se evidente se lirimi i shumë veprimtarive përgjatë fazës së II-të dhe të III-të të hapjes graduale ka sjellë edhe shtimin e rasteve pozitive në Covid-19, por kësaj duket që i ka kontribuar edhe ulja e kujdesit nga vet qytetarët, por edhe moszbatimi adekuat i masave mbrojtëse nga ana e bizneseve dhe subjekteve, veprimtaritë e të cilave janë liruar”, tha Ministri.
Ai ka kërkuar nga inspektoratet, që secili brenda fushë veprimtarisë së tij, të mbikëqyr dhe zbatojë masat e ndërmarra, në veçanti në sektorin e gastronomisë, ku sipas tij mospërfillja e tyre është e theksuar.
Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjithsej 228 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga testimi i këtyre mostrave, pozitive kanë rezultuar 28 prej tyre.
Rastet pozitive janë nga Prishtina, Vushtrria, Fushë Kosova, Rahoveci, Podujeva, Lipjani, Gjilani, Peja, Mamusha dhe Gjakova.