PDK-ja gjobitet edhe me 16 mijë euro, AAK-ja me 2 mijë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Partinë Demokratike të Kosovës me 16 mijë euro për katër ankesa të cilat i ka parashtruar Lëvizja Vetëvendosje për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.

Në katër rastet, Vetëvendosje është ankuar për katër mbështetës të PDK-së se kanë përdorur gjuhë ofenduese, nxitëse dhe urrejtëse.

Po ashtu, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është dënuar me 2 mijë euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes. Ankesa ka shkuar sërish nga LVV-ja. Në ankesë thuhet se përfaqësues të AAK-së kanë vendosur flamurin e partisë në oborrin e shkollës fillore “Emin Duraku”, çka bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Me 1,500 euro është gjobitur edhe subjekti politik Koalicioni Vakat me ankesë të subjektit “Socialdemokratskan Unija” (SDU), për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatë zgjedhore.