Tiktokerëve amerikanë u ofrohen nga 5 mijë dollarë për të kaluar në Facebook e Instagram

Gjiganti i rrjeteve sociale, Meta, ka ofruar të paguajë deri në 5 mijë dollarë për tiktokerët e famshëm në Shtetet e Bashkuara që kalojnë në Facebook dhe Instagram.

Sipas njoftimit të Metas, ata që bashkohen nga aplikacionet e palëve të treta do të marrin para të gatshme bazuar në vlerësimin e pranisë së tyre në rrjetin sociale.

Megjithëse nuk e përmend TikTokun me emër, rrethanat sugjerojnë se Meta po përpiqet të përfitojë nga pasiguria që rrethon rivalin e saj pasi ka ende pikëpyetje nëse presidenti Donald Trump mund ta ruajë platformën për përdoruesit amerikanë.

TikToku ka thënë se ka 170 milionë përdorues në SHBA – shumë prej tyre jetojnë nga kjo platformë – që do të thotë se ata do të kërkonin vend alternativ për të postuar nëse rrjeti social ndalohet.  

Meta ka thënë se të pranuarve në të ashtuquajturin “Breakthrough Bonus program” do t’u paguhen paratë gjatë 90 ditëve të para në aplikacion, për sa kohë që postojnë rregullisht.

Përdoruesit duhet të postojnë të paktën 20 ‘reels’ në Facebook dhe 10 ‘reels’ në Instagram – versioni i Metas i videove vertikale TikTok – gjatë çdo periudhe 30-ditore.

Njoftimi dikton se videot duhet të jenë origjinale dhe jo të shpërndara më parë në platforma të tjera.

Por jo të gjithë mund të bashkohen – paratë do të jenë në dispozicion vetëm për ata që janë krejtësisht të rinj në Facebook ose Instagram.

Dhe kompania me sa duket do të vendosë se kë të pranojë rast pas rasti, pasi së pari duhet aplikuar për t’u pranuar në program.

Meta po ofron gjithashtu përfitime të tjera, të tilla si abonim falas për ta marrë shenjën blu të verifikimit.

Me të marrë detyrën më 20 janar, Trumpi e shtyu për 75 ditë afatin për ta mbyllur TikTokun. Sipas një ligji të Kongresit, TikToku duhet të shitet te një blerës amerikan për të vazhduar funksionimin në SHBA.