Në nëntorin e 2024-s, listës së përfituesve të pensionit të veteranit të UÇK-së, iu shtuan 125 persona krahasuar me nëntorin e 2023-tës.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara në fund të dhjetorit, 36 mijë e 976 persona përfituan nga pensioni i veteranit në nëntor.
E, pavarësisht shifrave, në Zyrë të Kryeministrit kanë thënë se numri i veteranëve nuk u rrit.
Ata që iu shtuan listës, sipas kësaj zyre, ishin përfitues aktivë, veçse dolën nga puna e iu kthyen pensionit.
“Në këtë rast nuk bëhet fjalë për rritje të numrit të veteranëve, por për rritje të numrit të përfituesve aktivë të pensioneve të veteranëve të luftës, i cili ndryshon në vazhdimësi nga muaji në muaj. Ky ndryshim varet nga hyrja ose dalja nga tregu i punës i atyre që kanë statusin e veteranit”, thuhet në përgjigjen në Zyrës së Kryeministrit.
Njësoj, edhe në Ministri të Financave e kanë mohuar se është rritur numri.
“Sipas kontrollit të ATK-së që realizohet çdo muaj, personat që nuk kanë të ardhura të tjera, aktivizohen automatikisht. Kjo ndikon në rritjen e numrit të përfituesve, ku përfshihen edhe raste të reja të personave që kanë arritur moshën 65 vjeç dhe që aplikojnë për pensionin e veteranit”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Prej 2021-tës, numri i përfituesve të këtij pensioni është rritur për 172 persona.
Në Kryeministri, prej disa ditësh nuk i janë përgjigjur pyetjes tjetër se pse përgjatë këtij mandati nuk është hartuar ligjin që e ka propozuar vetë kryeministri Albin Kurti, për të nisur një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.
Ky propozim ishte bërë nga Kurti në kohën kur pensioni i veteranit u shkëput nga rritja e pagës minimale, në lartësinë e së cilës ishte e përcaktuar me ligj që të jepej pensioni.
Avokati Xhevdet Smakiqi, ka kritikuar Qeverinë që nuk pati vullnet politik të ofrojë infrastrukturë ligjore.
“Absolutisht, Qeveria ka ardhur me një premtim se do ta bëjë ligjin dhe do të bëjë kriteret për të përcaktuar se kush ka qenë veteran i vërtetë, këtë gjë, si çdo premtim tjetër ndaj veteranëve, nuk e ka bërë, ka dështuar”, ka thënë Smakiqi.
Por, Smakiqi ka thënë se pavarësisht lehtësirave që do të mund të krijonte Qeveria me ligj, pastrimin e listave nga veteranët e rrejshëm mund ta bëjnë vetëm gjykatat me aktgjykime të formës së prerë.
“Listën aktuale të veteranëve mund ta zvogëlojnë vetëm përmes procedurave gjyqësore. Pra, gjykata duhet ta shpallë një listë të veteranëve në një proces gjyqësor, sepse të drejtat e fituara në mënyrë ligjore mund të humben vetëm me vendime të gjykatave. Pra, nuk mund t’i merret askujt e drejta e statusit të veteranit me një ligj”, ka shtuar ai.
Sipas Organizatës për Migrim IOM, pjesë e OKB-së, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur rreth 25 mijë ushtarë.
Gjatë procesit të aplikimit, ky status u ishte njohur rreth 60 mijë personave.
Për dhënien e këtij statusi në mënyrë të kundërligjshme, janë në proces gjyqësor si të akuzuar, anëtarët e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve.