Ndryshimet që duhen bërë në ushqim për shëndet më të mirë

Ani pse dikush mund të preferojë të konsumojë ushqime të shumëpërpunuara, ekspertja Jance Dunn ka shkruar në The New York Times se çfarë ushqimesh duhet të shtohen në përditshmëri në mënyrë që organizmi të qëndrojë më i shëndetshëm.

Ndër sfidat e njerëzve është që të mos konsumohen ushqimet e shumëpërpunuara dhe se si të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme të ushqimeve.

Tani, sipas Dunn fokusi është te shtimi i frutave dhe perimeve në përditshmëri, edhe nëse dikush vazhdon të konsumojë ushqime të përpunuara.

“Mund të shtoni një mollë në mëngjes ose disa brokoli në darkë, për shembull”, ka thënë ajo.

Ndërsa ekspertja e ushqimit Linda V. Van Horn nga Universiteti Northwestern, ka thënë se kjo mënyrë e konsumimit të ushqimit do ta bëjë të lehtë përfshirjen e frutave e perimeve në dietën e përditshme.

“Kur e shikoni kështu, nuk është më çështje ‘çfarë duhet të heq’, por ‘çfarë mund të shtoj’”, ka thënë. Van Horn.

Kjo metodë ndihmon që njerëzit të përqendrohen më shumë te ngrënia e ushqimeve që janë të balancuara dhe të pasura me vlera ushqyese, si proteina, fibra, vitamina dhe minerale. 

Kështu që, nëse dikush parapëlqen të hajë pula të skuqura, këshillohet t’i shtojë edhe disa perime anash. Me kalimin e kohës, do të vihet re përmirësimi i shëndetit.

Dunn ka thënë se njerëzit mund të fillojnë duke shtuar një frutë ose perime në një vakt në ditë. 
Pas një jave, mund të provojnë të shtojnë një frutë në më shumë vakte të tjera.