Mbështjellja e ushqimit me mbështjellës alumini e rrezikshme për shëndetin, thonë ekspertët

Mbështjellësi i aluminit përdoret shumë në kuzhinë. Përdoret për ta mbështjellë ushqimin që të mos e humb lagështinë gjatë gatimit dhe po ashtu vendoset për të parandaluar ngjitjen e ushqimit. 

Por, doktori Zachary Cartwright ka paralajmëruar se s’bën të përdoret mbështjellësi i aluminit për ta ruajtur ushqimin e mbetur, pasi mund t’ju vë në rrezik serioz nga helmimi me ushqim, shkruan “The Sun”.

Cartwright, që është ekspert i ushqimit në Aqualab në Chicago, ka thënë se për ta ruajtur ushqimin preferohen kutitë e plastikës apo qeset e plastikës, pasi ato mbyllin ushqimin hermetikisht dhe nuk lejojnë oksigjenin të futet. 

E me mbështjellës alumini, ai thotë se pavarësisht sa mirë e mbështillni, prapë do të mbetet hapësirë për të hyrë ajër. 

“Mbështjellësi i aluminit s’mund të bëjë një mbyllje hermetike të ushqimit”, thotë Cartwright për “Southern Living”. 

Ai thotë se prezenca e ajrit mund të ndihmojë në rritjen e baktereve të rrezikshme. 

Qendra për Kontroll të Sëmundjeve në SHBA (CDC), thotë se prania e ajrit mund të ndihmojë në rritjen e baktereve të rrezikshme si stafilokoku apo bacillus cereus. 

Stafilokoku është bakter që mund të gjendet në lëkurën e njerëzve dhe mund të shkaktojë infeksione serioze nëse futet në gjak, duke çuar në disa raste edhe deri te vdekja. 

Ushqimi mund të kontaminohet nëse njerëzit, që kanë këtë bakter, e prekin atë pa i larë duart fillimisht. 

Stafilokoku mund të shumohet në ushqim dhe të krijojë një toksinë që shkakton helmim nga ushqimi edhe pas gatimit. 

Doktori Cartwright thotë se disa ushqime të caktuara dhe alumini mund të shkaktojnë po ashtu reaksion kimik dhe kontaminim. 

Alumini mund të reagojë me acid apo ushqime të kriposura, të cilat mund të shkaktojnë kullim të aluminit në ushqim. 

Kjo mund t’ia ndryshojë shijen ushqimit, e nëse merrni sasi të madhe të aluminit me kalimin e kohës atëherë mund të dëmtohen organet, siç është thënë në studime. 

Cartwright thotë se nëse doni të përdorni gjithsesi mbështjellës alumini për ta ruajtur ushqimin, atëherë duhet të jetë në afat të kufizuar kohor, jo më tepër se dy ditë. 

Po ashtu thotë se duhet ta mbështillni ushqimin me dy mbështjellës alumini, apo të filloni fillimisht me një qese plastike.