Kryeministri Albin Kurti i ka cilësuar “bllokim të reformave pozitive” dërgimin që opozita po ua bën ligjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet e kësaj gjykate.
Duke folur për Ligjin për Fondin Sovran, Kurti ka thënë se ka një vit prej kur ky ligj është në sirtar të Gjykatës. Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ai ka thënë se çdo ditë e humbur është “jashtëzakonisht e vlefshme meqenëse po pengohet shteti jonë në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në ekonominë botërore, teksa ne shënojmë rritjen më të madhe ekonomike të shoqëruar me progresin më të lartë demokratik”.
“Fondi sovran është jetik për rritjen ekonomike, shtimin e investimeve dhe pasurimin e strukturës së investimeve. Urojmë që paralajmërimet opozitare që Kushtetuesja do ta hedhë poshtë Ligjin tonë për fondin sovran, sipas informacioneve të tyre të brendshme, të mos dalin të sakta. Urojmë që të ndërpritet ky avazi i bllokimit të reformave pozitive e progresiste siç ndodhi me ligjin për byronë, me ligjin për KPK-në, me ligjin për çmimet tavan për produktet bazë ndër të tjera”, ka thënë ai në hyrje të mbledhjes.
Për të marrë si shembull për punë të mirë të kryera nga institucionet e themeluara nga Qeveria e tij, Kurti ka lavdëruar punën e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës.