Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, dhe ish-kandidati republikan për president, Vivek Ramaswamy, do të bashkë-udhëheqin Departamentin e sapokrijuar amerikan për Efiçiencë Qeveritare.
Siç ka njoftuar presidenti i zgjedhur, Donald Trump, pavarësisht emrit, departamenti s’do të jetë agjenci qeveritare. Trumpi ka njoftuar në një komunikatë për media se Musk dhe Ramaswamy do të bashkëpunojnë nga jashtë për t’i dhënë Shtëpisë së Bardhë këshilla dhe do të jenë në partneritet me Zyrën për Menaxhim dhe Buxhet për të bërë reformë të thellë strukturale, “që nuk është parë kurrë më parë”. Ai ka paralajmëruar se kjo lëvizje mund t’i shkundë sistemet qeveritare.
Shpenzimet qeveritare në SHBA shkojnë deri në 6.5 trilionë dollarë në vit. Me departamentin e ri nuk është përjashtuar shkurtimi i pozitave qeverisëse, diçka për të cilën Musk ka bërë thirrje vazhdimisht. Ai ka thënë se me disa ide të tij, mund të kursehen rreth 2 trilionë dollarë.
Duke shkruar në platformën X, pronar i së cilës është vet, Musk ka thënë se do të publikojë dokumente për transparencë maksimale. Ai ka paralajmëruar publikimin e një liste me “shpenzimet më koti” të taksapaguesve amerikanë.
Departamenti për Efiçiencë Qeveritare do të njihet shkurt edhe si “DOGE”, apo që është emri i kriptovalutës Dogecoin, që përkrahet publikisht nga Elon Musk.
Musk kishte dhuruar 200 milionë dollarë për fushatën e Trumpit dhe ishte mbështetës i madh i tij në garën që e fituan ndaj Kamala Harrisit më 5 nëntor.