Donald Trump është shpallur fitues i zgjedhjeve për president të Shteteve të Bashkuara, duke arritur të mund rivalen e tij nga radhët e demokratëve Kamala Harris.
Ai është bërë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, ndërsa në fjalimin e tij në Palm Beach, Florida, Trump falënderoi mbështetësit e tij dhe të gjithë qytetarët amerikanë që kanë votuar.
Ai tha se ndihet i nderuar teksa theksoi se është një fitore madhështore për popullin amerikan, transmeton Telegrafi.
“Dua t’ju falënderojë të gjithëve. Besoj se kjo ishte lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave”, tha Trump duke shtuar se tani do të shkojë në një nivel tjetër.
“Kemi vendin tonë që ka vërtetë nevojë për ndihmë dhe se duhet rregulluar gjithçka. Është e qartë se kjo është një fitore politike”, shtoi republikani.
“Dua të falënderoj popullin amerikan për nderin e jashtëzakonshëm që u zgjodha presidenti juaj i 47-të”, tha ndër tjera Trump para mbështetësve të tij.
Në anën tjetër Republikanët kanë arritur të marrin kontrollin mbi Senatin – duke fituar 51 ulëse, derisa gara për Kongres është duke vazhduar pavarësisht se edhe atje janë Republikanët që po prijnë.