Vdes Fethullah Gulen

Ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare Fethullah Gulen, në një spital në Pensilvani. I njohur si kreu i organizatës FETO dhe si kundërshtar i Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Siç shkruajnë mediat e huaja, Gulen jetonte prej vitesh në Shtetet e Bashkuara. Mësohet se ai vuante nga sëmundja e veshkave dhe diabetit, por edhe demenca.

Ndarjen e tij nga jeta e ka konfirmuar edhe një website me emrin “Herkul” që besohet të jetë i organizatës në fjalë, e cila në Turqi cilësohet si terroriste.

FETO është grupi përgjegjës për “grusht” shteti në 2016-ën në Turqi. FETO u “mësoi” njerëzve një version pak më ndryshe të Islamit, me besimin te shkenca, dialogu ndërfetar dhe demokracia shumëpartiake.

Gulen ishte më parë aleat i Presidentit turk, por marrëdhëniet midis tyre u përkeqësuan në vitin 2013 kur Erdoğan e akuzoi atë për nxitje të hetimeve për korrupsion që synonin dhe implikonin dhjetëra zyrtarë të qeverisë dhe partisë në pushtet.