Çështjet që nuk u shqyrtuan e nuk u miratuan që nga fillimi i sesionit vjeshtor do të tentohet që të përmbyllen sot nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët do të mblidhen për vazhdim të seancës së nisur tri javë më parë.
Vazhdimi i seancës është caktuar të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, pas së cilës përfaqësues të partive politike në Kuvend, kanë vlerësuar se legjislativin në muajt e fundit para zgjedhjeve e pret periudhë e vështirë.
Pas mbledhjes së Kryesisë, të hënën, ku për të enjten u caktua mbajtja e seancës së radhës, opozitarët ia lanë pushtetit fajin për mosshqyrtim e mosmiratim të pikave në rend të ditës, duke thënë se pushteti e ka humbur shumicën.
Por shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari -Lila, e ka mohuar këtë. Megjithëkëtë, e ka pranuar se mbetet sfidë prania e deputetëve e pjesëmarrja e tyre në votime.
Që nga fillimi i sesionit vjeshtor, Kuvendi ka mbajtur vetëm dy seanca dhe ato janë ndërprerë në mungesë të kourumit.
Rendi i ditës
5. Votimi për emërimin e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,
6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore,
8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale,
9. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
10. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,
11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës,
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
14. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
15. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-306 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-132 për automjete,
17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-311 për menaxhimin e resurseve ujore,
18. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,
19. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,
20. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
21. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
22. Shqyrtimi Projekt-Rezolutës për tërheqjen e tri (3) projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend,
23. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë,
24. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116,
25. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022,
26. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022,
27. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,
28. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.