Hoti: Vokrri mbetet legjendë edhe për brezat që vijnë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në manifestimin e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për publikimin e bucetës fituese të shtatores së Fadil Vokrrit, që u mbajt me rastin e dyvjetorit të ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Duke e quajtur këtë si një moment të veçantë, kryeministri Hoti tha se të gjithë ne që jemi rritur me legjendën e futbollit Fadil Vokrrin, ia kemi borxh familjes së tij për të treguar të gjitha nderimet për legjendën, i cili ka bërë historinë më të re të Kosovës edhe në sport, me punën që bashkë me ministrin e atëhershëm, me qeveritë e mëparshme të gjitha këto aktivitete që janë kryer për ta çuar Kosovën aty ku e ka vendin, në FIFA dhe UEFA.

“Është një sukses i jashtëzakonshëm që i është dashur qeverisë dhe shtetit të Kosovës. Pa dyshim, Vokrri mbetet legjenda edhe për brezat që vijnë. Ne jemi të nderuar që sot e bëjmë zbulimin e maketit për shtatoren e Vokrrit, para së cilës në të ardhmen do të përkulen sportistë dhe legjendat e ardhshme të futbollit”, tha kryeministri Hoti, duke falënderuar të gjithë ata që kanë punuar që të vihet deri në këtë ditë. 

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se Fadil Vokrri do të mbetet ikona më e madhe e sportit të Kosovës. Në kohë të vështira të Kosovës, Fadili me gjeneratën e tij kur luanin i jepnin shpresë këtij vendi për pavarësinë e Kosovës.

“Vetë prezenca e kryeministrit të Kosovës tregon mbështetjen për sportin, sepse ky është aktiviteti i parë që vjen në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Programin qeverisës do ta zbatojmë gjithmonë duke mbështetur dhe avancuar sportin e Kosovës”, tha ministrja Dumoshi, duke shtuar se Fadil Vokrri do të jetë ikona jonë, njeriu që dha shumë për Kosovën për ndërkombëtarizimin e futbollit, duke na bërë pjesë të familjes në UEFA dhe FIFA.

Të pranishmit me një fjalë i përshëndeti edhe Adem Rusinovci, kryetar i Komisionit Vlerësues për përzgjedhjen e bucetës dhe djali i legjendës së futbollit, Gramoz Vokrri.

Në fund të këtij manifestimi u zbulua maketi i shtatores së Fadil Vokrrit, e cila pritet të vendoset në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.