Ademi përkujton Vokrrin me një letër emocionuese

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e ka përkujtuar legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin në dy vjetorin e vdekjes së tij. Legjenda kishte pësuar sulm në zemër në ora 9:00 të mëngjesit, derisa nuk kishte arritur t’i përballonte. Ademi e ka përkujtuar Vokrrin, duke thënë se emri i tij është i shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit kosovar. Më poshtë keni shkrimin e plotë dhe pa ndërhyrje të presidentit të FFK-së: Sot me nderim dhe pietet të kujtojmë Ty presidenti ynë emblematik, bashkëpunëtori e miku ynë i madh, Fadil VOKRRI. Pa dyshim e kam të vështirë t’i shkruaj këta rreshta për Ty sepse e di që rrugës më tradhtojnë emocionet, ashtu siç në gjysmë na u ndanë rrugët për të na mbetur vetëm kujtime të paharrueshme. Mëngjesi i 9 qershorit 2018 ishte tronditës për të gjithë ne. Kosova mbeti pa Ty Legjendë, që tërë jetën ia kushtove futbollit dhe punove pareshtur për zhvillimin dhe progresin e tij. Sapo kishte kaluar ora 9:00 e atij mëngjesi të kobshëm kur zemra të tradhtojë. Të mori pikërisht numri që të simbolizonte. Infarkti në zemër i atij mëngjesi ishte i pamëshirshëm për TY. Përpjekja e atyre që të qëlluan afër në ato momente kritike për të të ofruar ndihmë dhe më pas edhe e mjekëve fatkeqësisht rezultoi e pasuksesshme. Lutjet tona gjithandej që ta kaloje edhe këtë sfidë nuk u dëgjuan. Jo, sepse Perëndia vendosi të të marrë afër vetes, sepse ishe njeri bujar e me zemër të madhe, e që i dhe shumë futbollit dhe shtetit tonë. Ike nga kjo botë për të shkuar në përjetësi si LEGJENDË. Kontributi Yt tashmë është i shkruar me shkronja të arta në histori. Që nga periudha e sakrificës ishim të rreshtuar në misionin e përbashkët për ta bërë realitet ëndrrën e shumë gjeneratave. E këtë e arritëm falë punës, vizionit dhe këmbëngulësisë tënde, por edhe të atyre që me dekada luajtën, punuan dhe kontribuuan për ecurinë dhe progresin e futbollit të Kosovës. Tani, ne, bashkëpunëtorët tu po punojmë për ta realizuar objektivin që ia kemi vënë vetes – kualifikimin në Evropian, pasi kjo ishte edhe dëshira jote e radhës, pas finalizimit të procesit të vështirë të anëtarësimit në UEFA e në FIFA. Gjatë kësaj periudhe finalizuam shumë projekte, arritëm rezultate për mbamendje me ekipet kombëtare, duke u bërë storie suksesi, e përmirësuam infrastrukturën e stadiumeve, e rritëm cilësinë dhe konkurrencën në kampionatin vendor, vazhduam me shkollimin e kuadrove të reja të gjyqtarëve e trajnerëve, si dhe i ofruam përkrahjen e nevojshme talenteve të reja. Prandaj, jemi të bindur se futbolli i Kosovës po marshon i sigurt dhe bindshëm drejt rritjes e sukseseve, që do të vazhdojnë ta bëjnë krenar popullin dhe shtetin tonë, si dhe do të lënë gjurmë në histori, pikërisht ashtu siç dëshirove Ti i paharruari ynë, Fadil VOKRRI.I përjetshëm kujtimi për TY, Legjendë! Gjithmonë do të mbetesh motivi më i madh i lojtarëve tanë, të cilët çdo sukses të Kombëtares e lidhin me emrin tënd, teksa “Dardanët” në çdo ndeshje thërrasin me mburrje e krenari në minutën e 9-të në stadiumin, që është bërë ankth për çdo kundërshtar në fushë, FADIL VOKRRI! Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi…

Me respekt,

Agim Ademi,

president i FFK-së