Pas avokatit kryesor të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, edhe Ben Emmerson, avokati kryesor i Kadri Veselit, u tërhoq nga mbrojtja në Hagë. Ministria e Drejtësisë tha se pagesa e ulët nuk është arsyeja. Por avokatët a ish-krerëve të UÇK-së, në prill të vitit të kaluar përmes një letre kishin thënë se pagesat që po ua bën shteti nuk i reflektojnë kostot e ekipeve mbrojtëse. Ata paralajmëronin se “mundësia që katër të akuzuarit të realizojnë një mbrojtje efikase dhe efektive është në rrezik”.
Gjykata Speciale të mërkurën mori vendim për ta miratuar tërheqjen e Ben Emmerson, avokatit kryesor të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli që po mbahet në paraburgim në Hagë, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me ish-udhëheqës të tjerë ushtarakë e politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Britaniku kishte kërkuar të hiqte dorë nga mbrojtja dhe kjo iu miratua përmes një vendimi që përmend një shkëmbim të letrave ndërmjet Veselit dhe Emmerson për përfundimin e marrëdhënies së tyre klient-avokat.
Specialja u shpreh “e kënaqur” që ka pasur “arsye të justifikueshme” për “përfundimin e hershëm të përfaqësimit të Z. Veseli nga Z. Emmerson”.
Veseli ka kërkuar që Rodney Dixon të emërohet avokat i tij, sipas asaj që u tha në vendim, ndërsa Annie O’Reilly dhe Ann Rowan të jenë bashkëavokatë.
Në një letër, avokati Emmerson kishte theksuar angazhimin e tij që të tërhiqej në atë mënyrë që të mos e dëmtojë klientin e tij të deritashëm.
“Z. Emmerson thekson në letrën e tij se “do të përpiqet të sigurojë që tërheqja e tij të mos e dëmtojë Z. Veseli gjatë kësaj periudhe tranzicioni dhe që interesat e [Z. Veseli] të mbrohen”, thuhet në vendimin e gjykatës për miratimin e tërheqjes së avokatit britanik.
Gregory Kehoe, avokati kryesor i Hashim Thaçit, ishte tërhequr gjithashtu nga mbrojtja e ish-presidentit në shkurt të këtij viti
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se “Kadri Veseli me shokë” po përballen me “Qeverinë më antikombëtare e më anti-UÇK që po keq-qeverisë me vendin”, duke thënë se mungesa adekuate e fondeve ishte arsyeja e tërheqjes së avokatit Emmerson. Kjo, ajo tha se “do duhej të ishte mjë alarm për vendin dhe trajtohej sot në një seancë urgjente e të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës”.
“Shteti i Kosovës po ju hynë në hak këtyre burrave duke e rrezikuar të drejtën e popullit tonë për liri”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Ministria e Drejtësisë, në një reagim të mërkurën i quajti “të pabaza dhe tendencioze” lajmet “rreth pagesave për avokatët e angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara në Hagë”.
“Për sqarim të opinionit publik, deri më sot, Ministria e Drejtësisë ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim. Pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta. Personat që tërhiqen nga detyra e tyre mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por pagesa e ulët nuk është një prej tyre”, tha Ministria.
“Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson z. Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent)”, u tha tutje në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së ishin ankuar për mungesë të fondeve adekuate nga shteti
Luka Mišetić, avokat i Hashim Thaçit, Ben Emmerson, si avokat i Kadri Veselit, David Young, avokat i Rexhep Selimit dhe Alegendra Venkateswari, avokate e Jakup Krasniqit kishin nënshkruar një letër që mban datën 24 prill 2023, me anë të së cilës shprehnin shqetësimin se pagesat e bëra nga shteti nuk i reflektonin kostot e ekipeve të avokatëve.
Në këtë letër të dërguar te Njësia për Koordinimin e Procesit Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Ministrinë e Drejtësisë të cilën e ka siguruar Gazeta Express, paralajmërohet se “mundësia që katër të akuzuarit të realizojnë një mbrojtje efikase dhe efektive është në rrezik”.
Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së shprehnin shqetësimet e tyre “sa i përket mënyrës dhe metodës së kalkulimit të shumave ligjore” që jepen për ekipet mbrojtëse të të akuzuarve në Hagë.
“Ndonëse e respektojmë obligimin e organeve publike si Ministria e Drejtësisë për t’u kujdesur për fondet publike, theksojmë gjithashtu se Ministria duhet të kujdeset për fondet publike në një mënyrë qe nuk rrezikon mbrojtjen e katër të akuzuarve në proceset gjyqësore pranë Dhomave te Specializuara”, thuhej ndër tjerash në këtë letër.
Tarifat për mbrojtjen juridike dhe shpenzimet e tjera, avokatët thonin se “jo vetëm që nuk pasqyrojnë kostot ekonomike për mbrojtjen e rasteve të madhësisë dhe rëndësisë së tillë, por mbi të gjitha nuk përputhen me disa nga dispozitat e tjera të Udhëzimit Administrativ apo me praktikat e vendeve të tjera të rajonit”.
Avokatët thonin se sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 08/2022, kompleksiteti i këtij rasti cilësohet si “shumë i vështirë”, andaj edhe me aktakuzën e ndryshuar dhe numrin e madh të dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria, ata “duhet të angazhojnë orë të panumërta pune për të shqyrtuar materialet nga secili nga këto juridiksione, përfshirë këtu edhe shqyrtimin e dëshmive të dëshmitarëve dhe dokumentave nga të gjitha këto procese”.
“Kjo është një barrë shtesë mbi atë bazë – shqyrtimin e sasive të mëdha dëshmish të reja dhe dokumentave të mbledhura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Pra, përgatitja e mbrojtjes juridike kërkon një dedikim të madh burimesh nga të katër ekipet e mbrojtjes, e gjitha kjo ndërkohë që gjykimi është në rrjedhë e sipër dhe mbrojtja është duke marrë në pyetje dëshmitarë në seancë gjatë gjithë ditës”, thuhej në letër.
Aty thuhej gjithashtu se sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 08/2022, forma e kompensimit të tarifave të avokatëve përcaktohet “në bazë të praktikave të vendeve të shteteve nga vijnë avokatët dhe tarifave të përcaktuara sipas Udhëzimit Administrativ të Dhomave te Specializuara”. Më tej theksohej se “shumica e avokatëve të angazhuar në ekipet mbrojtëse të katër të akuzuarve vijnë nga juridiksione ku tarifat për orë janë ndjeshëm më të larta se tarifat e paraqitura në tabelën e Shtojcës 1 të Udhëzimit Administrativ Nr. 08/2022”.
Për rastet si ky i katër ish-krerëve të UÇK-së, Udhëzimi Administrativ Nr. 08/2022, sipas avokatëve parasheh këto tarifa për orë: 400 euro për avokatin mbrojtës, 180 euro për bashkëavokatin, 140 euro për ndihmësin juridik, 120 euro për ndihmësin administrativ.
“Udhëzimi Administrativ Nr. 08/2022 gjithashtu parasheh se një ekip mbrojtës për një rast të kompleksitetit 4 përbëhet nga një avokat mbrojtës, dy bashkëmbrojtës, pesë ndihmës juridikë dhe katër ndihmësa administrativë”, thuhej në letër.
Por avokatët theksonin se këto kalkulime si më lart “nuk reflektojnë këtë përbërje të ekipit” dhe se ai udhëzim administrativ “paraqet tarifat mujore për mbrojtjen juridike dhe shpenzimet e tjera për një ekip mbrojtës (120 orë për muaj) duke llogaritur vetëm nga një anëtar për secilën kategori/rol”.
Për raste si ky i Thaçit dhe të tjerëve, avokatët shkruanin se “ekipit mbrojtës i takojnë së paku 12 anëtarë në ekip”.
“Ky është qartazi një gabim që shkakton një dëm të madh për katër të akuzuarit. Theksojmë këtu se secili nga katër ekipet mbrojtëse në rastin Hashim Thaçi et al. përbëhet nga një numër dukshëm më i madh i anëtarëve se ekipi katër anëtarësh i supozuar në Shtojcën 1 të Udhëzimit Administrativ Nr. 08/2022 dhe secili anëtar i ekipit punon ndjeshëm më shumë se 120 orë për muaj”, thuhej në letër.
Sipas avokatëve, kalkulimet e Ministrisë së Drejtësisë nuk po pasqyronin shpenzimet e nevojshme të ekipeve mbrojtëse.
“Sipas përbërjes së ekipit siç është caktuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 08/2022,12 shumat/vlerat në tabelën e mësipërme për bashkëmbrojtësin, ndihmësin juridik dhe ndihmësin administrativ duhen shumëzuar secila respektivisht me 2, 5 dhe 4, duke e sjellë shumën totale për kompensim në 242,000.00 Euro për muaj për ekip”, thuhej në letër.
Avokatët theksonin se kompensimi ndaj tyre ishte në “disavantazh të theksuar” ndaj Prokurorisë, pavarësisht se synimi është “barazia e palëve” në gjykim.
Në atë letër, avokatët shprehnin shqetësimet edhe “me mënyrën e kalkulimit për kompensimin e ‘shpenzimeve të tjera’”.
“Si në rastin e tarifave të avokatëve, shumat e parapara në Udhëzimin Administrativ Nr. 08/2022 nuk pasqyrojnë realitetin ekonomik në këto raste. ‘Shpenzime të tjera’ është një kategori e përgjithshme e paraparë të mbulojë gjerësisht një numër shpenzimesh nga ato për përkthime tëk mjetet e zyrës, si dhe kostot e udhëtimit, tarifat e ekpertëve, etj. Në një projekt të një madhësie të tillë siç është rasti këtu, nuk duhet të jetë e habitshme që këto shpenzime sigurisht tejkalojnë 9,200.00 Euro për muaj”, shkruanin avokatët.
“Ne e kemi të vështirë të kuptojmë analizën që është ndërmarrë për të përcaktuar tavanin prej 9,200.00 Euro për muaj për ‘shpenzime të tjera’ në rastet e kompleksitetit 4. Tabela në Shtojcën 1 të Udhëzimit Administrativ Nr. 08/2022 parasheh se në një rast të kompleksitetit 3 (pra, një rast më pak kompleks dhe më i vogël sesa një rast i kompleksitetit 4), ekipi mund të kërkojë 9,600.00 Euro kompensim për ‘shpenzime të tjera’, ndërsa një ekip në një rast të kompleksitetit 4 mund të kërkojë vetëm 9,200.00 Euro per muaj.14 Shpenzimet në raste më komplekse sigurisht se janë më të larta se ato më pak komplekse. Ndaj, kompensimi nga ana e Republikës së Kosovës për këto shpenzime duhet të jetë dukshëm më i lartë”, shtonin ata.
Kosova ka ligj për mbrojtje juridike adekuate dhe mbulimin e shpenzimeve për tarifat e avokatëve dhe shpenzimet e tjera për personat e akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së, avokatët kishin thënë se është “i paprecedentë” dhe kësisoj “do të kërkojë orë pune dhe burime shumë herë më të larta se ato që parashihen aktualisht në sistemin e pagesave”.
“Në emër të katër të akuzuarve, me respekt kërkojmë një rritje në tarifat e avokatëve dhe shpenzimeve të tjera në Udhëzimin Administrativ Nr. 08/2022 në një nivel që pasqyron realitetin ekonomik të këtij rasti dhe siguron një përfaqësim dinjitoz dhe profesional të katër akuzuarve pranë Dhomave të Specializuara”, thuhej në kërkesën e avokatëve.