Cila ngjyrë e mollës është më e mirë për shëndetin dhe pse?

Pasi që vjeshta është afër dhe sezoni i mbledhjes së mollëve po afron, dy dietologë kanë treguar disa detaje se cila ngjyrë e mollëve është më e mirë për shëndetin.

“Sa u përket ngjyrave të mollëve, ato variojnë duke filluar nga e gjelbra, e verdha, e kuqja e deri tek ajo e përzier”, ka thënë Kelley Springer nga Asociacioni i Mollëve në New York, për “Fox News”.

Mollët vijnë në disa ngjyra, por kur bëhet fjalë për vlerat ushqyese, diferenca ndërmjet tyre është përgjithësisht e vogël.

Sidoqoftë, sipas dietologes, mollët me ngjyrë më të errët, shpesh kanë nivel më të lartë të antioksidantëve në krahasim me ato më të hapura.

Ani pse përmbajtja e vlerave ushqyese dallon varësisht nga tipi i mollës dhe ambienti në të cilin kultivohet, Springer ka thënë se në përgjithësi mollët janë burim i mirë i fibrave, vitaminave e antioksidantëve.

Dietologia Diane Lindsay-Adler nga “Childrens health Physicians” në Boston ka thënë se shprehja “një mollë në ditë e mban doktorin larg” është mjaft e vërtetë.

“Mollët mund të mbrojnë kundër sëmundjeve serioze, përfshirë ato të zemrës, diabetin, kanceri e më shumë”, ka thënë Adler.

Mollët e kuqe e kanë këtë ngjyrë për shkak së përmbajnë komponimin që quhet antocianin, i cili është antioksidant shumë i fuqishëm dhe ndihmon në reduktimin e inflamacionit në trup.

Mollët e gjelbra e marrin ngjyrën nga komponimi ‘chrorophyll’, që është tjetër lloj i antioksidantit, i cili mbron nga llojet e ndryshme të tumoreve kancerogjene.

Mollët e verdha përmbajnë komponimin, i cili mbron nga disa lloje të kancerit si dhe mbron shëndetin e syve.

Ndërkohë që të gjitha mollët janë të mira për shëndetin, ato të gjelbrat përmbajnë më pak sheqer dhe kanë më shumë fibra, gjë që i bën të mira për ata që duan ta kenë peshën nën kontroll.

Mollët me ngjyra të përziera, janë të njohura për përmbajtje të lartë të ujit, gjë që i bën të mira për hidratim.

Flavonidet dhe antioksidantët që gjenden në molla ndihmojnë për ta mbajtur në nivelin e duhur sheqerin në gjak.

Sipas një studimi të mëparshëm, gratë që konsumojnë një apo më shumë mollë në ditë, kanë 28% më pak gjasa të sëmurën nga diabeti i tipit 2, krahasuar me ato që nuk hanë asnjë mollë.

Përveç kësaj, mollët janë shumë të mira edhe për shëndetin e zorrëve.

“Komponimi i quajtur pectin, i cili gjendet në mollë, është prebitoik i mirë i cili ushqen bakteret e mira që gjenden në zorrë”, ka thënë Springer e cila shtoi se kaliumi që gjendet në mollë ndihmon kundër presionit të lartë të gjakut.