Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Bresje të Fushë Kosovës. Dyshohet se një grua u plagos me armë zjarri nga burri i saj, i cili u arrestua nga policia.
E në momentin kritik pas ngjarjes, një person i dha ndihmën e parë asaj.
Ai për Klankosova.tv dha detaje se si iu ofrua viktimës. “Jam anëtar i Shoqatës së Kërkim – Shpëtimit, i certifikuar për dhënien e ndihmës së parë në vijën e parë të frontit, pra për t’iu dhënë ndihmë edhe personave të plagosur nga arma e zjarrit. Rasti ka ndodhur në mëngjes, tek semaforët në Bresje. Në atë moment isha duke shkuar në punë. Isha me furgon, para meje ishte Njësia Speciale duke shkuar në vendin e ngjarjes. E pashë viktimën dhe ndalova për t’i dhënë ndihmë”, tha Edison Krasniqi.
“Zbrita nga furgoni, mora pajisjet e nevojshme dhe iu ofrova viktimës. Fillimisht e sigurova vetën, vendin e ngjarjes dhe nisa t’i jap ndihmë. Fatmirësisht arritëm ta ndalnim gjakderdhen. Ajo kishte plagë në kokë, dyshohet se ishte goditur me një mjet të fortë, por që fatmirësisht plaga nuk ishte e rrezikshme për jetën e saj. Kishte edhe plagë në anën e majtë të brinjëve që mund të kishte qenë rrezik i madh për gruan. Reagova shpejt, dhe qëndrova aty derisa erdhi ambulanca”, theksoi Krasniqi.
“Më pas i dhashë edhe ujë. Në cilindo rast unë jam i gatshëm t’iu ofroj ndihmë qytetarëve, që kanë nevojë. Ka qenë rast shumë emocional. Ka qenë rast i rëndë për mua. Sepse ka qenë rast i parë që kam intervenuar tek dikush që ka qenë i plagosur nga arma e zjarrit”, shtoi ai për Klankosova.tv
Ndryshe, nga Qendra Emergjente folën lidhur me gjendjen e gruas së plagosur.
Drejtori Naser Syla, tha për Klankosova.tv se gjendja e viktimës për momentin është stabile.
“Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe intervenimet. Ende është në observim në Qendren Emergjente. Ta shohim më vonë për transfer”, theksoi Syla.