Ka përfunduar takimi i ambasadorëve të QUINT-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Tema kryesore në takim del të jetë hapja e Urës mbi Ibër.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë.
“Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara …. u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, është shprehur Hovenier pas takimit me Kurtin.
Edhe pse u pyet për arsyet pse e refuzojnë hapjen, Hovenier nuk pranoi të komentojë.
Ky takim vjen pas “përplasjeve” në distancë mes Kosovës dhe BE-së lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Peter Stano nga BE-ja, deklaroi se kjo çështje duhet të rregullohet vetëm në dialog.
Edhe i dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak derisa po qëndronte në Kosovë, muajin e kaluar kishte rikujtuar se hapja e urës në Mitrovicë është subjekt i dy marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja.
“Ne vazhdimisht u kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta adresojnë çështjen në dialog dhe të përmbahen nga veprime të pakoordinuara. Nuk është asnjëherë mirë nëse partnerët ndërkombëtarë befasohen. Në këtë rast, hapja e pakoordinuar e ures së Ibrit, mund të çojë në incidente të sigurisë dhe ta komplikojë edhe më shumë procesin e normalizimit. Hapja e urës në Mitrovicë është subjekt i dy marrëveshje në kornizën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja nga 2015 dhe 2016. Edhe pse pajtohem se ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar këtë për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në një mënyrë të pajtueshme dhe të koordinuar. Çfarëdo vendimi në lidhje me urën së pari duhet të konsiderohet dhe të merret në dialog. Nëse palët janë të interesuara, jam i lumtur që ta vendos këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të kryengociatorëve.” – ka thënë ai për “Kosovo Online”.
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, është pajtuar me një qasje të tillë. Ata kanë rikonfirmuar se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Ata përsëritën përkushtimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin në dobi të sigurisë në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal. Gjithashtu rikonfirmuan se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin NATO e mbështet, përfshirë përmes përpjekjeve të KFOR-it. Kjo është kyçe për sigurinë e të gjitha komuniteteve. KFOR-i mban prani fikse në urën e Mitrovicës dhe kryen patrullime në zonat përreth” – thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Edhe Gjermania e përkrah BE-në në qëndrimin e saj. Ambasada e Gjermanisë në Kosovës vlerësoi se pavarësisht përpjekjeve të BE-së, ura mbetet e mbyllur për trafik.
“Duke qenë se kjo është një çështje që ka të bëjë me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim në lidhje me Urën duhet të bëhet në kuadër të Dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, kishte thënë zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Boettcher.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së Bashkimit Evropian lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Nga BE-ja thanë se kjo temë duhet të hapet në dialogun Kosovë-Serbi.
Osmani ka reaguar ashpër, duke thënë se Ura e Ibrit nuk është temë që duhet të hapet në dialog. Osmani thekson se presidenti serb nuk duhet të pyetet për çështjen e integritetit territorial të Kosovës.
“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.