Mustafë Hajrizi, babai i Artan e Faton Hajrizit ka folur ekskluzivisht për Nacionalen ku ka thënë se ky i pari nuk ndodhet në Kosovë por është në Gjermani
Në një deklaratë për gazetarin e Nacionales, Oqean Dermaku, ai ka thënë se Faton Hajrazi ka marrë pasaportën e vëllait të tij, Artanit, e cila nga autoritet serbe po pretendohet se është gjetur në Loznicë të Serbisë, ku u vra një polic serb.
“Fatoni i ka bërë ato punë, pasaportën e tij (Artanit) ia ka marrë, u shku në Gjermani atje ia ka marrë. Unë jam babai i tij”, ka thënë ai fillimisht.
Pyetur nga Nacionale se si është marrë kjo pasaportë, Mustafë Hajrizi deklaron se nuk kanë informacione rreth kësaj.
“Jo, jo. Qysh u shku nuk kemi informata, ia ka vjedh, se di hiç cka ka bërë, pasaportën e tij e ka pasë.”
Tutje, ai është shprehur se i biri, Artani, është në Gjermani duke punuar.
“Artani në Gjermani, t’u punu është që tetë vjet. Po po (kemi folë me të)”, tha ai.
Nacionale e ka pyetur edhe nëse ka qenë në dijeni se me kë ishte në veturë Faton Hajrizi, ku ai u përgjigj:
“Jo jo nuk di kurgjo, ai u kanë t’u punu atje, nuk kanë pushim as kerkun”.
Çka ndodhi?
Një polic serb raportohet se ka mbetur i vrarë mbrëmë në Loznicë të Serbisë dhe një tjetër i plagosur rëndë, derisa autoritetet serbe pretendojnë që autori është shqiptar.
Ministri i Punëve të Brendshme atje, Ivica Daçiq ka thënë:
“Sonte, rreth orës 12:55 në Loznicë, gjatë kontrollit të automjeteve në pikën e kontrollit në Lipniqki, policët e stacionit policor kufitar Trbushnica ndaluan një Mercedes me targa Tutina në të cilin ndodheshin dy persona.” – ka thënë Daçiq.
Ndërkohë, sipas raportimeve në vendin e ngjarjes u gjet një pasaportë e një kosovarit, me emrin Artan Hajziri. Mediat serbe e kanë publikuar fotografinë e tij.
“B92”në anën tjetër, pretendon se 33 vjeçari Artan Hajrizi, ka ikur nga burgu duke cituar informacione “jozyrtare”.