Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot në orët e para të mëngjesit në Loznicë, qytet në perëndim të Serbisë, është vrarë një zyrtar policor dhe një tjetër është plagosur rëndë – duke theksuar se janë vënë pas sulmuesit.
Siç është bërë e ditur në kumtesën e ministrisë së Brendshme të Serbisë, policët rreth orës 00:55 gjatë kontrollit të një veturë në pikëkalimin kufitar Liniçka Shora në afërsi me Bosnje e Hercegovinën, kanë ndalur një veturë të markës “Mercedes” me targa të Tutinit, brenda të cilës gjendeshin dy persona, transmeton Telegrafi.
Gjatë daljes nga vetura, një person ka shtënë me revole, duke e goditur zyrtarin policor serb Nikolla Krsmanoviq (1990) në gjoks, kurse Vjekosllav Illiq (1974) gjithashtu zyrtar policor u qëllua në kraharor – ku më pas sulmuesi është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Të dy policët janë dërguar në spitalin e Loznicës, ku Krsmanoviq nuk i mbijetoi plagëve, derisa policit tjetër i është përmirësuar gjendja shëndetësore pas intervenimit kirurgjik.
Nga kjo ministri pretendojnë se në vendin e ngjarjes policia serbe ka gjetur pasaportë të Kosovës të personit me inicialet A.H. i lindur me 1991 si dhe një letërnjoftim të Gjermanisë.
“Forca të shumta të policisë janë vënë në kërkim të sulmuesit”, thuhet ndër tjera në kumtesën e MUP-it serb.