Shkruan: Safet Gërxhaliu
Jemi dëshmitar se raportet personale dhe partneriteti mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ram, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk janë në nivelin e duhur si dy liderë të dy shteteve të një populli të ndarë. Këto tensione politike dhe mesazhet e përçara të liderëve kanë krijuar një ndjenjë të distancës mes dy popujve, të cilët ndajnë të njëjtën gjuhë, kulturë dhe histori.
Raportet ekonomike nuk janë në nivelin e duhur të bashkëpunimit ku eksporti dhe importi në mes të Kosovës dhe Shqipëris në rrethana normale ishte dashur të ishte në mes të dy firmave biznesore e jo në mes të dy shteteve. Janë organizuar takime ndëqeveritare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ku janë nënshkruar shumë marrëveshje të bashkëpunimit, por efektet e implementimit nuk kanë dhënë rezultatetet e pritura.
Nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas lajmi i mirë nuk është lajm dhe vetēm lajmi i keq mirëpritet dhe promovohet. Është aktualizuar debati për turizmin ku një numër i konsiderueshëm i kosovarëve nuk i kalojnë pushimet verore në Shqipëri, ndryshe nga vitet e kaluara kur briegdeti shqiptar ishte destinacioni kryesor për kosovarët. Ky debat sa tendencioz po aq i politizuar shumë më tepër po i dëmton këto raporte se sa që po i përmirëson ato. Kriza ekonomike në Kosovë është evidente dhe me ketë po ballafaqohen qytetarët dhe biznesi, por jo politika dhe Institucionet vendore. Varfëria dhe inflacioni i lartë kanë bërë që shumë qytetarë të hyjnë në kredi për të financuar pushimet verore.
Sipas statistikave të bankave dhe institucioneve mikrofinanciare, shumica e qytetarëve po përballen me vështirësi ekonomike. Inflacioni dhe çmimet e larta të produkteve elementare dhe mosrritja e pagave kanë bërë që rreth 50% e popullsisë as të mos mendojnë për pushime verore gjë që nuk ka ndodhur në të kaluarën. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ishte i vonuar dhe i pa drejt.
Nga fillimi i vitit 2024 filloi lëvizja e lirë dhe ky proces ka hapur dyer dhe horizonte të reja për kosovarët që të vizitojnë vende të ndryshme evropiane. Shumë qytetarë kanë preferuar të eksplorojnë destinacione si Greqia, Kroacia, Spanja dhe vende të tjera tërheqëse. Një pjesë e tyre kanë zgjedhur të bashkohen me të afërmit që jetojnë jashtë vendit dhe të kalojnë pushimet në një mjedis familjar.
Gjithashtu, liberalizimi i vizave ka ofruar mundësi për shumë kosovarë që të kërkojnë punë sezonale në vendet evropiane, duke e shfrytëzuar periudhën prej tre muajsh të lejuar për qëndrim. Agjencitë turistike të vendeve si Greqia, Turqia, Spanja, dhe Kroacia kanë zhvilluar fushata të fuqishme marketingu për të tërhequr turistë nga Kosova. Ofertat e tyre të volitshme dhe shërbimet cilësore kanë bërë që shumë kosovarë të preferojnë këto destinacione për pushimet e tyre.
Fushatat e tyre kanë ekspozuar manipulimet me çmimet që janë bërë nga disa agjenci dhe hotele në Shqipëri, duke ofruar një alternativë më tërheqëse dhe me çmime më reale për turistët. Një tjetër aspekt që duhet të theksohet është trajtimi i turistëve kosovarë në Shqipëri. Shumë prej tyre janë ankuar për çmime të larta dhe për një shërbim jo të duhur. Për të përmirësuar situatën dhe për të tërhequr më shumë turistë nga Kosova, është e nevojshme që Shqipëria të ofrojë çmime më reale dhe një trajtim më të mirë për turistët kosovarë. Kjo do të ndihmonte në rikthimin e besimit dhe në përmirësimin e marrëdhënieve turistike mes dy vendeve. Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë destinacion për kosovarët, por kalimi i shpejt nga turizmi masiv në atë elitë mund të lë edhe efekte negative. Marrëdhëniet personale dhe politike në mes të liderëve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të ndikojnë në turizmin dhe në ndjenjën e afërsisë mes dy popujve.
Kriza ekonomike dhe preferencat e reja të kosovarëve për destinacione të tjera, së bashku me fushatat e fuqishme të marketingut të vendeve të tjera, kanë ndikuar në zgjedhjet e tyre për pushimet verore. Tentativa për të politizuar turizmin është dëmi më i madh që mund t’i bëhet nga kudo që vjen. Bukurit natyrore të Shqipërisë janë dhe do të mbeten ndër mote e breza e politika dhe inatet personale janë kalimtare. Është koha që në Shqipëri të kuptohet rëndësia e çdo turisti dhe tyre nuk duhet çasje selektive apo fragmentuese por të barabart dhe njerëzore.
Eurot e fituara nga turizmi janë të njejta qoft të ardhura nga një gjermanë, italianë, serbë apo kosovarë. Më e mira që ka ndodhur në raportet gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është fati që qytetarët dhe bizneset kanë bërë shumë hapa të avancuar në bashkëpunim se sa politika. Nuk ka vend për panik sepse kosovarët janë besnik dhe falenderues ndaj Shqipërisë.
Kanë qenë, janë dhe do të mbeten Ambasador të bukurive natyrore të Shqipërisë, por duhet të kuptohet se për luftë dhe dashuri duhen gjithëherë dy palë. Le të vazhdojë debati e le të flitet, por le të kuptohet se ku është Kosova është Shqipëria dhe anasjelltas.