Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
IHK njofton se vranësirat parashihen kryesisht gjatë relievit malor.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 35-38 gradë Celsius.
Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.
Ndërkaq, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror – ASHNA ka bërë të ditur se vala e të nxehtit që ka hyrë tashmë në ditën e dhjetë, ka shënuar rekorde në parametrat matës si në temperaturat minimale që janë regjistruar madje mbi 30 gradë Celsius në vendet fqinje, e po ashtu me maksimalet ekstreme që janë shënuar deri në 43 gradë.
ASHNA njofton se që nga e mërkura pasdite e deri të shtunën, në një situatë kur kemi temperatura shumë të larta në përplasje me një valë rrymimesh ajrore më të ftohta, do të ketë zhvillime stuhish të përcjella me rrebeshe shiu.
Agjencia njofton se vende-vende mund të ketë edhe breshëri dhe erëra të fuqishme që do të ndikojnë në një rënie prej 3 – 5 gradë të temperaturave maksimale, e që do të na shoqërojnë deri në mesin e javës së ardhshme.
“Temperaturat maksimale në vendin tonë do të arrijnë në mes 28°C – 33°C, ndërsa minimalet do të luhaten ndërmjet 17°C – 22°C. Erërat do të jenë drejtimesh të ndryshme të dominuara kryesisht nga veriu me shpejtësi nga 02 – 12 m/s”, thuhet në njoftim.