Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar pagesën prej 21 milionë eurove si dëmshpërblim ndaj kompanisë “ContourGlobal”.
Haradinaj tha se investimi i Contour Global prej 1.3 miliard ka qenë investimi më i madh i kontraktuar në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.
“Investimi me qindra vende të reja të punës dhe shumë projekte për kompani partnerë vendorë dhe të Kosovës. Termocentrali i ri prej 500 mega Wat do t’i jepte Kosovës stabilitet dhe pavarësi të përhershëm energjetike me çmime shumë të ulëta prej ato që janë në treg prej vitit 2021.
Haradinaj tha se në rast të realizimit të këtij investimi Kosova do të përfitonte me qindra miliona euro, transmeton Telegrafi.
“Investimi ka nënkuptuar me qindra e mbase edhe me mijëra të punësuar dhe punë e projekte multi milionëshe për dhjetëra kompani kosovare. Kosova e Re me 500 MW do të i jepte Kosovës stabilitet dhe pavarësi permanente energjetike me çmime shumë më të ulëta se të gjitha çmimet e tregut pas vitit 2021. Ndërtimi i Kosovës C do ta bënte Kosovën të pandikueshme nga p.sh lufta në Ukrainë apo çfarëdo krize globale. Nga rritja e çmimit të energjisë në tregjet globale Kosova do të fitonte miliona, kurse vetëm në tri vitet e fundit Kosova ka shpenzuar mbi 500 milionë euro e mbase më shumë për import të energjisë elektrike. Krejt me pare dhe faktura të fryra të popullit”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, në krahasim me vitin 2017 (çmimi ishte 45 euro) projektimi i çmimit ishte shumë më i lartë se në vitin 2017 (80 euro) por të gjitha analizat e tyre se çmimi në treg pas vitit 2020 do të jetë mbi 100 euro tha se ishin të vërteta.
“Ne e vërtetë që i kemi garantuar plasman të energjisë edhe gjatë verës ContourGlobalit, por e vërteta është se Kosova kurrë gjatë verës nuk ka konsum më të vogël se 500 MW.
Në vitin 2016 u lëshua në prodhim në Stanari të Bosnjës termoelektrana e EFT (rreth 400MW) me pronar Vuk Hamoviq shefit të mafias energjetike që në masë të madhe e kontrollon shitjen e energjisë në rajon. Kjo kompani EFT që Kosovës i kishte shitur rreth 142 euro milionë energji është partnere e afërt e mbase edhe pronare e GEN-it serb kompanisë e cila i kishte paguar qindra mijëra EURO Martin Berishës njeriut të Kurtit e i cili vazhdon të jetë Ambasador i Kosovës.
Serbia, EFT dhe GEN kishin interes të madh që Kosova C kurrë mos të ndërtohej dhe e natyrshme që kanë financuar njerëz në Kosovë që ky projekt kurrë mos të vinte në jetë. Vetëm në vitin 2021 Termoelektrane në Stanari ka shitur energji në vlerë prej 107 milion eurove
I kuptueshëm interesi i Hamoviqit që Kosova të mos ketë Kosovën C por cili ishte interesi i Kurtit dhe VV-së?”, pyeti Haradinaj.
Siç tha ai mos ndërtimi i Kosovës C është suksesi më i madh që Serbia ka arritë në Kosovën e pasluftës.
“Vendet e BE-së që kanë qenë të zëshme kundër këtij projekti në vitin 2022 i kanë rihapë termocentralet dhe sot furnizohen me energji nga termocentralet. Shumë organizata vendore, shumë organizata majtiste kanë financuar njerëz dhe shoqata në Kosovë me luftu Kosovën C, gjoja në emër të ruajtjes së ambientit.
Tërheqja e ContourGlobal erdhi si pasojë e mesazheve të pastërta kundër projektit nga ana e Qeverisë Kurti e me të cilat praktikisht e ka liru CG nga obligimi që të gjejnë financues”, tha ndër të tjera Haradinaj. /Telegrafi/