Ramadani: Rastet e reja, pasojë e mos respektimit të rekomandimeve

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani tha se situata me COVID-19 në Kosovë është nën kontroll.

“Kemi ardhur deri në këtë pikë ku të kemi situatën nën kontroll ku kemi regjistruar të gjitha rastet, kemi regjistruar të gjitha kontaktet të mbikëqyrim të gjitha vatrat epidemiologjike në tërë territorin e Kosovës. Ky sukses është sukses i jashtëzakonshëm në të cilin ne gjendemi”, theksoi Ramadani.

“Duke pasur parasysh që kemi pasur festat e muajit të kaluar, fillimi i punës së institucioneve, hapjes së ekonomisë ka ndikuar që të ketë një lëvizje më të madhe të qytetarëve dhe kjo drejtpërsëdrejti është parë edhe në rritjen e rasteve në disa komuna, jo në të gjitha, më saktësisht në gjashtë komuna kemi rritje të rasteve të cilat në një realitet të vatrave epidemike janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin dhe janë të lidhura drejtpërdrejt me mos zbatimin e masave të IKPSHK-së dhe MSH-së”, tha Naser Ramadani.

Sipas tij, edhe këto javë do ta tejkalohet me sukses pandemia, pa pasoja të mëdha ose me pasoja minimale. “T’i përmbahemi strikt rekomandimeve’, shtoi Ramadani.

“Nëse nuk u përmbahemi këtyre rekomandimeve që janë shumë të thjeshta, mbajtja e distancës, vënia e maskës dhe higjena personale, ne mund të rikthehemi mbrapa, fatkeqësisht edhe me pasoja”, tha Ramdani me lutjen ndaj qytetarëve për respektim të masave.

“Maska është domosdoshmëri dhe duhet të mbahet patjetër”, tha Ramdani.