Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se shpreson që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hyjnë në takimin e sotëm në Bruksel me vizion dhe guxim politik.
Në një postim në Facebook, Lajçaku ka shkruar për përgatitjet për takimin. Ai ka thënë se gjithë javën ia ka dedikuar përgatitjeve. Sipas tij, në vizitat në Kosovë dhe Serbi ka diskutuar për qëllimet e takimit për t’i rishikuar arritjet dhe për t’i planifikuar hapat e ardhshëm, veçanërisht lidhur me implementimin e Marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit.
“Bisedat tona ishin të hapura, të sinqerta dhe të rëndësishme për procesin e normalizimit”, ka thënë ai. “Gjithçka është gati për nesër (v.j. postimi i së martës në mbrëmje), dhe shpresojmë që dy liderët të vijnë me vizion dhe guxim politik të nevojshëm për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, ka shkruar ai.